Danimarka shpreson të hyjë edhe një herë tjetër nga dera e pasme në finalet e një kampionati europian, pas atij të vitit 1992, të cilin në fund edhe e fitoi. Atëherë ishte lufta në ish-Jugosllavi, që solli përjashtimin e kësaj të fundit dhe thirrjen e kombëtares daneze, e cila kishte nisur pushimet, pasi nuk kishte siguruar kualifikimin në finalet suedeze.
Tani është presidenti i federatës armene që jep shpresë, pas deklaratave se disa lojtarë të tij e shitën ndeshjen me Shqipërinë. Të parët që u gëzuan ishin serbët, por thjesht për inat të Shqipërisë, ndërsa danezët janë të interesuar direkt, pasi në rast përjashtimi të Shqipërisë janë ata që plotësojnë numrin e 24 skuadrave.
Gazeta “Ekstra Bladet” shkruan se UEFA do të nisë hetimet, megjithatë, që të realizohet ajo që duan danezët, duhet jo vetëm të provohet tolerimi i lojtarëve armenë, por edhe joshja e Shqipërisë që ata të bënin diçka të tillë. Duket një skenar thuajse i pamundur, megjithatë Danimarka shpreson.
“Ne kemi dëgjuar edhe më parë thashetheme në lidhje me këtë, por nuk kemi parë ende ndonjë dokument, që përputhet me ndonjë parregullsi. Ne nuk kemi qenë të kontaktuar për këtë çështje asnjëherë, nga askush, as nga UEFA, ndaj nuk mund të flasim në lidhje me dhënien e informacioneve të reja”, thotë për “Ekstra Bladet” shefi i zyrës shtypit në federatën daneze, Jakob Hoyer.
Për të njëjtën gazetë flet edhe ndihmëstrajneri Peter Bonde: “Nëse një president i një federate futbolli shkon deri aty sa të thotë se ka informacione për fiksimin e ndeshjes, kjo është më shumë se vetëm thashethem. Kur diçka e tillë ndodh, unë supozoj se UEFA po e heton çështjen, përndryshe të gjithë mund të flasin për një lojë të pandershme, por kjo nuk do të kishte asnjë rol”.