Tirana do të ketë shumë shpejt inkubatorin më të madh në rajon në fushën e teknologjisë së inovacionit, artit dhe kulturës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe dy bashkëdrejtuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, inspektuan punimet e fundit që po bëhen tek “Tumo Center”, në mjediset e stadiumit kombëtar “Air Albania”, e cila do të presë mijëra të rinj të moshës 12-18 vjeç, ku do të mësojnë gjuhën e kodimit.
Veliaj theksoi se “Tumo Center” do të jetë një shkollë unike, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin. “Nuk besoj se ka shkollë më të bukur se kjo që po projektojmë sot, e cila nuk është një shkollë tradicionale, me orarin 8:00 me 13:00, por është krejt alternative. Një shkollë unike jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin. E kam zemrën plot mirënjohje për gjithë bashkëpunimin me Martinin, Sandrin dhe skuadrën teknike të arkitektëve dhe inxhinierëve”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku theksoi se kjo qendër inovacioni është një bekim i madh jo vetëm për Njësinë 2, por për gjithë Tiranën. “Çunat dhe gocat e talentuara nga mosha 12-18 vjeç, që duan të punojnë në industritë kreative, këtu do të gjejnë shtëpinë e ëndrrave. Për fëmijët e Tiranës, kjo është shtëpia e ëndrrave, një shtëpi kreative, që fillon përkohësisht këtu, para se të transferohet pak metra më tej, te Piramida. Është një lajm fantastik”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë dha lajmin e mirë se këtë muaj nisin punimet për transformimin e Piramidës, që do të jetë në fakt, shtëpia e përhershme e “Tumo Center”. Punimet do të zgjasin rreth një vit e gjysmë. Veliaj shtoi se ky investim përkon edhe me idenë për ta kthyer stadiumin “Air Albania” në një qendër multifunksionale. “Ideja fillestare ishte që stadiumi të mos përdorej vetëm një herë në muaj, sa herë luan Kombëtarja, por të kthehej në një burim energjie”, tha ai, teksa shprehu bindjen se dhe ky projekt do të kthehet në një histori suksesi.
“Kur njerëzit pyesin “pse po betonizohet Tirana?” e nëse betonizim janë këto mjedise, ashtu qoftë, sepse po bëhen më shumë njerëz bashkë, po prodhohen më shumë hapësira, pa u detyruar t’i hipim avionit dhe të shkojmë jashtë për të ndjekur këto kurse, pasi më të mirën e Amerikës po e sjellim këtu. Nëse unë apo kushdo tjetër shahet e mallkohet për këtë, qofsha fajtor gjithë jetën, sepse ky lloj investimi, që sjell sport, komercializëm, socializim dhe industri kreative, është ndoshta gjëja më e mirë që i ka ndodhur këtij vendi në 100 vite, që kur është shpallur kryeqytet i Shqipërisë. Mezi pres ta kthejmë në një tjetër histori suksesi, si çdo gjë që Fondi Shqiptaro-Amerikan dhe Bashkia e Tiranës kanë prekur me dorë dhe kanë investuar”, theksoi Veliaj.
Teksa vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, bashkëdrejtuesi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), Martin Mata ftoi të gjithë të rinjtë të bëhen pjesë e këtij programi. “Ne kemi një shprehje: E ardhmja është sot! Ne presim diku te rreth 1 mijë fëmijë dhe për të gjithë periudhën derisa të kalojmë te Piramida, i gjithë programi do të zhvillohet këtu 100%, duke plotësuar të gjitha nevojat e fëmijëve nga 12-18 vjeç. Pa diskutim që i jemi mirënjohës Bashkisë së Tiranës, sepse nuk bëhej dot pa bashkëpunim”, tha Mata.
Të rinjtë që do të frekuentojnë mjediset e transformuara të Piramidës do të kenë mundësi të ndjekin kurse të ndryshme në fushën e IT dhe të komunikacionit, si dizajni, programimi etj.
g.kosovari