Në konferencën e përjavshme për mediat, Presidenti Ilir Meta ngriti shqetësim duke thënë se Shqipëria po humbet miliona lekë në gjyqet ndërkombëtare të arbitrazhit.
Ai deklaroi se dita ditës po rritet borxhi publik, pasi është rritur numri i çështjeve të humbura të shtetit shqiptar në gjykatat e huaja.
“I kam dërguar Avokaturës së Shtetit, numrin e çështjeve në proces në gjykatën e arbitrazhit ku është përfshirë Shqipëria, shërbimet e përfaqësimit, shpenzimet dhe të dhënat për ato, numrin e çështjeve të fituara në gjykatat e Arbitrazhit, numrin e çështjeve të humbura, sa ka kushtuar, shpenzimet administrative për koston e procesit, të dhëna mbi faktin nëse deri sot për çështjet e humbura a ka referuar avokatura e shtetit për nxjerrjen e përgjegjësve për dënim e shkaktuar ndaj shtetit Shqiptar. Shqipëri ka një detyrim mbi 99 milionë euro, ndërsa kostoja ka vlerë për mbi 300 mijë euro”, u shpreh Meta.
Ai tha se nga sa është bërë publike, vendimi i arbitrazhit e evidenton qartë vendimet arbitrare të Shqipërisë, deklaratat e Edi Ramës kanë pasur rol thelbësor në vendimin e Gjykatës në dëm të Shqipërisë.
“Shteti shqiptar nuk mund të marrë borxhe pa fund dhe të rrëzohet për shkak të borxheve për të shlyer në mënyrë të veçantë dëmet e shkaktuara jo nga shteti por nga korrupsioni papërgjegjshmëria për të mos thënë korruptive të kryeministrit dhe të vartësve të tij”, deklaroi Meta.
Më tej shtoi se i dha mundësi të dytë avokaturës edhe pse ishte me shumë vonesë, por se deri më tani ka heshtje të plotë gjë që sipas tij nuk tregon papërgjegjshmëri, por përpjekje të hapur për të fshehur informacionin.
Nisur nga padia e një investitori i huaj që kërkon 100 milionë euro nga Shqipëria në gjykatën e Arbitrazhit, ai tha se kjo është kthyer në një shqetësim dhe rrezik për financat dhe ekonominë shqiptare.
Nga ana tjetër Meta shtoi se Edi Rama do t’i humbasë zgjedhjet.
“Rama nuk i do listat e hapura sepse humbet partinë. Le ta vendosë veten në 4 qarqe dhe nuk ka për të dalë dot deputet. Ta pranojë humbjen me dinjitet” – tha Meta.
/a.r