“Është shumë e rëndësishme që 61 bashkitë të përqendrohen në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe jo në “kapjen” e votave me pahir dhe presione ordinere me bukën e gojës”.
Është ky mesazhi që jep Presidenti Ilir Meta, teksa ndan një video me plane nga Elbasani dhe gjendja e keqe e rrugëve dhe kanalizimeve.
Ai thotë se rritja e taksave që paguajnë qytetarët nuk u është kthyer në shërbime më të mira, përkundrazi në degradim të tyre.
“Kur kjo ndodh në Elbasan, mendoni në bashkitë e tjera. Çdo zyrtar të bëjë detyrën me përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve dhe komunitetit”, shkruan kreu i shtetit.
Meta shton se fatkeqësisht reforma administrative u keqpërdor për të përqendruar pushtetin vendor në pak duar e jo për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.
Ai bën thirrje që taksat e qytetarëve të mos keqpërdoren për të shtuar fondin e pagave për fushatë partie, por për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve”.
“Ndal abuzimit me pushtetin vendor nga cilido!”, shkruan në mbyllje Presidenti.