Pak ditë më parë, aktorja e njohur nga Tropoja, Arjola Demiri doli zyrtarisht në mbështetje të PS dhe kryebashkiakut Veliaj në fushatën për zgjedhjet e 25 prillit. Sot një tjetër emër i njohur i botës së artit iu bashkua fushatës së Tiranës.
Mexosopranoja e njohur, Vikena Kamenica, e ftuar në takimin e sotëm të grave socialiste, tha se Veliaj është kryetari transformues i Tiranës. Ajo ftoi të gjitha gratë e Shqipërisë që, në respekt të vetes, por edhe për shpresën e madhe për të ardhmen, të mbështesin PS më 25 prill.
“Ne gratë jemi forcë e madhe dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë, për të marrë vendimet e duhura dhe të kemi fokusin e qartë, siç një nënë e ka për fëmijën e saj, duhet ta kemi edhe për vendin tonë. Nuk jam këtu për t’ju bindur, sepse ju jeni motori i të vetmes forcë progresiste siç është Partia Socialiste, por flas si grua profesioniste, si shumë gra të tjera që nuk janë pjesë e PS e që nuk duan të angazhohen kurrë në fushata politike, por ama në respekt të vetes sonë, për shpresën e madhe në të ardhmen tonë, duhet të bëjmë zgjedhjen e duhur dhe të kthejmë sytë andej nga na çmojnë vlerat dhe talentin tonë, andej ku barazia gjinore ka kapur rekorde botërore. Tani dua të ftoj një mik shumë të mirë, një tifoz të madh të grave dhe padiskutim të meritës, kryetarin transformues të bashkisë, Erion Veliaj”, deklaroi Vikena Kamenica.
/e.rr