Me vendim të Këshillit të Ministrave këtë të mërkurë u miratua caktimi i 1,000 mësuesve shtesë për të përballuar nevojat për punonjës arsimorë gjatë periudhës së pandemisë në vitin shkollor 2020-2021.
Lajmin e dha Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, në një postim në rrjetet sociale.
“Me këtë lajm e nisa sot takimin me drejtuesit e drejtorive rajonale dhe zyrave vendore arsimore, me të cilët diskutuam mbi mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor 2020-2021 dhe zgjidhjen e shqetësimeve të shfaqura gjatë kësaj periudhe. Në këtë kuadër, i falënderova për përballimin me sukses të nisjes së vitit të ri shkollor dhe kërkova që akoma me më tepër përkushtim të mbajnë në vëmendje maksimale respektimin e masave anti-COVID në çdo institucion arsimor, si dhe të shtojnë përpjekjet dhe inspektimet në terren në mënyrë që të garantohet se #rregullat zbatohen nga të gjithë“, tha Kushi.
Ministrja thekson se “sa më rigorozë që të jemi në këtë aspekt, aq më e lehtë do të bëhet edhe sfida jonë e përbashkët për të kujdesur për shëndetin e nxënësve, mësuesve, prindërve e kujtdo tjetër, dhe njëkohësisht të sigurojmë mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë vit jo të lehtë shkollor”.
/a.r