Lajme të mira nga klubi i Napolit, pasi në testet e para që kanë kryer futbollistët dhe stafi teknik, asnjëri nuk ka rezultuar i prekur nga koronavirusi.
Klubi i kaltër u përball me Genoan të dielën pasdite dhe fitoi me rezultatin e thellë 6-0, por të nesërmen klubi ligur konfirmoi se plot 8 futbollistë dhe 4 anëtarë të stafit teknik kanë rezultuar pozitivë.
Frika ishte e madhe se mos edhe futbollistët e Napolit ishin infektuar nga koronavirusi, ndaj ditën e djeshme u kryen testet mjekësore për të gjithë lojtarët dhe stafin teknik, ndërsa sot klubi ka konfirmuar se të gjithë kanë rezultuar negativë.
Nesër pritet që të gjithë t’i nënshtrohen edhe një testi të dytë, për të qenë 100% të sigurt për gjendjen e futbollistëve para ndeshjes së rëndësishme të të dielës, përballë Juventusit në “Allianz Stadium”.
Me këto përgjigje, duket se bie përfundimisht hipoteza e ndërprerjes së përkohshme të kampionatit italian, ndërsa i vetmi opsion që pritet të diskutohet, është ai i shtyrjes së ndeshjes mes Genoas e Torinos, e planifikuar për të shtunën.
Kjo pasi klubi ligur ka plot 10 futbollistë dhe 4 anëtarë të stafit teknik të prekur nga koronavirusi dhe që janë vendosur në karantinë, ndaj nëse ndeshja nuk shtyhet, rrezikon që të luajë me të rinjtë ndaj Torinos.
g.kosovari