Ishte fillimisht portieri Matia Perin dhe më pas Schonë që rezultuan pozitiv me koronavirus,ndërsa tani te Genoa janë plot 10 futbollistë të cilët janë infektuar me COVID-19. Ka qenë vetë klubi i Genoas që nëpërmjet një komunikate të shpërndarë mbrëmjen e sotme, ka njoftuar se pas Perin e Schone, edhe 8 futbollistë të tjerë kanë rezultuar pozitivë, ndërsa të infektuar janë edhe 4 pjesëtarë të stafit teknik, duke e çuar numrin total në 14 të prekur.
“Klubi i Genoas njofton se pas hetimeve të rasteve ditën e sotme, numri i personave të infektuar nga Covid-19 ka shkuar në 14, mes futbollistëve dhe pjesëtarëve të stafit. Shoqëria ka nisur të gjithë procedurat e parashikuara nga protokolli në fuqi dhe ka njoftuar autoritetet për situatën. Do t’ju mbajmë të përditësuar për gjithçka”, shkruhet në komunikatën e klubit ligur.
Ndërkohë vlen të theksohet se tashmë të gjithë futbollistët dhe pjesëtarët e stafit të Napolit do të duhet t’i nënshtrohen testit anti-Covid, pasi patën kontakt të drejtpërdrejtë me futbollistët kuqeblu.
g.kosovari