Ministri serb i Financave, Sinisha Mali, ka deklaruar se Mini-Schengeni së shpejti do të bëhet realitet i Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, dobia kryesore e Marrëveshjes së Washington-it është integrimi i shpejtë në tregtinë botërore dhe zhvillimi ekonomik i tërë rajonit.
“Kemi përgjegjësi për standardin jetësor të qytetarëve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor. Eksportet në rajon janë rritur dukshëm vitet e fundit, por ekonomitë e rajonit vazhdojnë të jenë të integruara dobët në tregtinë botërore”, ka thënë ministri Mali.
Sipas ministrit serb, normalizimi ekonomik i raporteve mes Kosovës dhe Beogradit do t’i kontribuojë edhe shteteve të rajonit. Mini-Schengenin, ai e ka konsideruar “mbase edhe pikën më të rëndësishme të marrëveshjes me presidentin Trump ku me rëndësi te madhe është fakti që Prishtina pranoi të jetë pjesë e kësaj nisme”.
Nisma për mini-Schengenin u hartua nga Serbia, Shqipëria, Mali I Zi dhe Maqedonia e Veriut ndërsa ish-kryeministrat kosovarë Haradinaj e Kurti deklaronin se po krijohej ish-Jugosllavia ndaj e injoruan atë deri kur kryeministri Hoti në Shtëpinë e Bardhë firmosi përfshirjen e Kosovës në takimet në vijim.
/a.r