Pezullohet nga detyra, drejtori i burgut të Beratit, Hiqmet Këlliçi. Vendimi i pezullimit u mor nga gjykata, i akuzuar se ka kryer veprime arbitrare ndaj një të burgosuri.
Ditën e enjte, Gjykata e Beratit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Beratit për marrjen e masën ndaluese ndaj Këlliçit, ku në një seancë të zhvilluar në dhomat e këshillimit ka urdhëruar pezullimin e ushtrimit të detyrës së tij si drejtori i IEPV Berat, deri në përfundimin e procesit gjyqësor në ngarkim të tij.
Hiqmet Këlliçi akuzohet për “Kryerje të Veprimeve Arbitrare” ndaj një të burgosuri që vuante dënimin në IEPV Berat.
Kallëzimi penal ndaj Këlliçit është bërë nga avokati i të burgosurit Krios Vangjeli, në muajin janar.
Drejtori i burgut akuzohet se ka izoluar të burgosurin për një javë nga 13-20 Janar dhe e ka mbajtur në dhomën e izolimit me pranga, duke e lënë edhe më tej afateve që e lejon ligji.
Në kallëzimin penal ndaj Hiqmet Këlliçit, ndër të tjera thuhet se me urdhër të drejtorit punonjësit e burgut e kanë trajtuar këtë të burgosur në mënyrë çnjerëzore. I burgosuri Krios Vangjeli mësohet se është transferuar me urdhër të Këlliçit në repartin e posaçëm të burgut të Fierit.
g.kosovari