Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Shupali”, ka vënë në pranga një person të kapur me armë dhe drogë.
Bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një 27-vjeçar merrej me shitjen e lëndëve narkotike dhe lëvizte me mjet nga Zall-Bastari në drejtim të Tiranës, efektivët e komisariatit Nr. 4, bën arrestimin e I. Xh., 27 vjeç, banues në Zall-Bastar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin po qarkullonte i dyshuari pasditen e së premtes, në vendin e quajtur “Ura e Shupalit” dhe më pas në banesën e tij në Zall-Bastar, shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 50 kg me lëndë të dyshuar kanabis sativa.
Gjithashtu janë gjetur dy armë gjahu çifte, municion luftarak, fitila zjarrpërcjellës, një automjet, dy aparate celular dhe objekte që përdoren për kultivimin, tharjen dhe përgatitjen e lëndës narkotike.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
g.kosovari