Emisioni “Opinion” në Tv Klan ka publikuar pamjet ekskluzive të vrasjes nga RENEA të 71-vjeçarit Lefter Zhidru. Gazetari Spartak Koka ka qenë në Elbasan, ku ka ndjekur nga afër aksionin e forcave speciale.
Në pamjet e siguruara nga gazetari Spartak Koka dhe të transmetuar në emisionin “Opinion”, duket trupi i pajetë i 71-vjeçarit Zhidru i shtrirë në tokë pas ndërhyrjes brenda banesës së forcave RENEA.
Sikurse duket në këto pamje, pranë trupit të pajetë të viktimës është dhe arma e zjarrit tip kallashnikov, me të cilën Lefer Zhidru qëllonte pa pushim prej 5 orësh ndaj policisë.
Brenda banesës së 71-vjeçarit, RENEA gjeti sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe tritol të lidhura me fitil zjarrpërcjellës. /tvklan.al
Aksioni i RENEA-s për të ndërhyrë brenda banesës së 71-vjeçarit ka ndodhur rreth orës 18:00. Forcat speciale shpërthyen me eksploziv derën kryesore të apartamentit dhe më pas hodhën gaz lotësjellës dhe tymuese.
71-vjeçari qëlloi me armë gjatë këtij moment, ndërsa RENEA u kundërpërgjigj me armë. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Lefter Zhidru. Ndërsa asnjë prej forcave policore nuk u plagos.