Kryebashkiaku Veliaj inspektoi sot punimet për ndërtimin e shtëpive të Selman Alukut dhe Myrteza Hykës në Kashar, banësat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti.
Veliaj u shpreh i kënaqur për ritmin me të cilin po ecën puna për rindërtimin e shtëpive të rrënuara nga tërmeti i fuqishëm. “Shtëpitë do të jenë disa herë më të mira se ajo që kishin dhe me shumë gjasë do rrojë më gjatë se shtëpia e vjetër. E vlerësoj jashtë mase, ju jam mirënjohës! E di që ka çuna që i zë kur prekin lopatën me dorë dhe mendojnë se çdo gjë bëhet në kafe, por puna nuk është turp. Kur të kthejmë kokën pas, do themi se ishim pjesë e skuadrës që u ndërtoi shtëpitë njerëzve, që iu gjend pranë në ditën e fatkeqësisë, që i dha dum një fatkeqësie që ndodh rrallë”, tha ai.
Veliaj shtoi se qytetarët janë mirënjohës dhe e vlerësojnë punën e madhe që po bëhet me rindërtimin, por sipas tij, ka edhe prej atyre që po përdoren nga opozita.
“Ka disa njerëz që e thonë fjalën e keqe për punë partie. Por, di t’ju them se nuk kemi lënë askënd pa bonus qiraje, pa strehim, edhe në Kombinat. Sigurisht, për pallatet procedura është pak më e ndërlikuar dhe e gjatë, por them se 99% e njerëzve janë të drejtë, solidarë dhe mbështetës. Ekziston një 1% që thotë ‘kap ça të kapësh’ e ‘derisa i kapa 10 muaj qira, po më vijnë edhe këta të partisë, do kap ndonjë gjë për ata’. Por, mos bëni aleancë me hilen! Dikush që i ka marrë lekët në Kombinat nuk mund të thotë ‘kap ça të kapësh’, se ky mentalitet e ka degjeneruar Tiranën. Tirana që kishim para pak vitesh ishte ‘kap ça të kapësh’. Kap edhe gjumin, kap edhe gjërat e tjera! I siguroj qytetarët se do e marrin bonusin e qirasë deri në ditën që do marrin çelësin e shtëpisë së re në dorë”, shpjegoi ai.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku theksoi se, ashtu siç asnjë familje e dëmtuar nuk do të mbetet pa shtëpi, nuk do të tolerohen abuzimet me bonuset e qirave.
“Spekulimet nuk do t’i lejojmë sepse njerëzit me të drejtë thonë: ‘Bonusi i qirasë merret nga taksat e mia. Pse njëri që del me një ish-deputet ose ish-politikan në televizor duhet të marrë dy-tre herë nga lekët e mia’? Me qenë të drejtë edhe para shtetit, edhe para ligjit, edhe para Zotit, edhe para njerëzve, ne ruajmë çdo dokument. Çdo njeri do marrë qiranë derisa të marrë çelësin. Kur të marrë çelësin e shtëpisë, do i ndërpritet qiraja, që të kemi mundësi të bëjmë edhe punë të tjera”, tha Veliaj, i cili shtoi se, javën tjetër, në Këshillin Bashkiak miratohet edhe loti i mbetur i shtëpive, që Viti i Ri t’i gjejë familjet në shtëpitë e tyre.
Deputetja e PS, Blerina Gjylameti tha se me projektin e Rindërtimit i është dhënë zgjidhje të gjithë banorëve të Kasharit, që humbën shtëpitë e tyre nga tërmeti. “Me kalimin në Këshillin Bashkiak të 250 shtëpive të tjera, i japim zgjidhje të gjithë banorëve të Kasharit. Jam shumë e lumtur se, ndryshe nga ajo çfarë ka ndodhur ndër vite dhe ndryshe nga opozita që përdor gjuhën e baltës dhe të urrejtjes, ne kemi zgjedhur gjuhën e punës”, deklaroi ajo.