Nga Sokol Balla
Këshilli Politik, një organ ad hoc, i krijuar si një instrument për të stabilizuar situatën e çuditshme pas braktisjes së institucioneve nga opozita një vit më parë, po reflekton në fakt paradoksin e krijuar, duke dështuar të mbajë gjallë një dialog të rinisur me shumë vështirësi, në një krizë të thellë mosbesimi dhe nën ndikimin e propozimin e ndërkombëtarëve. Sot situata nuk është më e ndryshme se ajo e shtatorit 2019. Palët sërish nuk flasin, së paku në publik, por thjesht sulmojnë dhe braktisin mbledhjet e këshillit.
Të martën ishte radha e Damian Gjiknurit. Kriza e besimit ka filluar sërish, që prej ndryshimit të Kushtetutës pa konsensus dhe me votat e opozitës rivale parlamentare. Të martën pasdite, ambasadori britanik Norman, personi që propozoi krijimin e këtij këshilli, “këshilloi” marrjen e vendimeve, pa prishur frymën e marrëveshjeve të 5 qershorit.
Por duket se zëri i ndërkombëtarëve, kritik për këtë situatë, është i zbehtë dhe jo imponues. Kjo ka bërë që socialistët të ndihen të sigurt, jo vetëm për të ecur para me draftin e tyre të kodit zgjedhor, por edhe me një variant kaq hibrid për listat e hapura, saqë duket një ‘hesap i mbyllur’ për diçka që nuk do arrijë të hapet kurrë.
Një propozim, që i hap rrugën dhe jo listën, vetëm ndonjë personi që është kaq i fortë, sa të mundë partinë e tij politike, përpara së të mundë kundërshtarët e tij. Shumëkush mendon se çka propozojnë socialistët, është një gënjeshtër për opinionin e gjerë publik, që mund edhe të pranonte një ndryshim të njëanshëm të Kushtetutës, përballë hapjes së listave, një propozim kaq popullor, sa në pak kohë mori firmat e gati 100 mijë vetëve në një peticion nga një lëvizje, tashmë e shndërruar në parti, me emblemë kryesore, Rudina Hajdarin
Por nga opozita vijnë mesazhe kontradiktore. Sfida që i hodhi Gjiknuri për një kundërpropozim, gjeti një reagim të thatë të Bylykbashit se “drafti” i opozitës ishte kodi aktual zgjedhor, ndërkohë që pesë pyetjet e saj, morën si përgjigje vetëm daljen nga mbledhja të përfaqësuesit socialist.
Më e shqetësuar për listat e hapura ose më saktë për të mos u akuzuar se i braktisi ato, ishte LSI, e cila ende sot, në takimin me Bashën, nuk ka thënë nëse ka marrë një përgjigje nëse kandidatët e saj do jenë në lista të përbashkëta, apo lista më vete, ndërsa në shtyp kanë dalë tashmë lista e ndonjë qarku, si ai i Durrësit, ku PD ka nxjerrë 12 emra, vetëm nga radhët e saj.