Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka zhvilluar një video konferencë me ministren e Jashtme të Kosovës Meliza Haradinaj.
Kjo video konferencë kishte në fokus, lehtësimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Në qendër të diskutimit, ishte perspektiva e vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Europian.
Video konferenca vjen në vijim të takimit në Bruksel të Nikos Dendias me Miroslav Lajcak, përfaqësues special dhe gjatë konferencës për fokusimin në perspektivën e vendeve ballkanike në BE.
Dendias i ka shprehur Lajcak gatishmërinë për të asistuar në përpjekjet e BE-së në rajon.
Nga ana tjetër ministrja Haradinaj-Stublla thotë se ka marrë mbështetjen e homologut grek, Nikos Dendias për liberalizimin e vizave.
Kujtojmë se Greqia nuk e njeh Kosovën, por nga ana tjetër si vend i BE e mbështet për liberalizimin e vizave sa më shpejt.
STATUSI NGA MELIZA HARADINAJ-STUBLLA
Në kuadër të sesionit të 75-të të UNGA, mbajta sot një videokonferencë me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
Homologu grek më konfirmoi mbështetjen e madhe të Greqisë në përmbylljen e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke theksuar nevojën e bashkëpunimit të gjerë rajonal politik dhe ekonomik, për të ruajtur qëndrueshmërinë e paqes dhe stabilitetit, dhe fuqizuar perspektiven eurointegruese të rajonit.
Me Ministrin Dendias biseduam edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit, që i hapë rrugë marrëveshjes finale të njohjes reciproke në kufijtë ekzitues, dhe që respekton rendin kushtetues e karakterin unitar të Republikës së Kosovës.
Me homologun grek theksuam nevojën e thellimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, duke thelluar edhe më tej dialogun praktik që kemi me Greqinë.
/e.rr