Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në njësinë Guri Zi në Shkodër.
Hilë Simoni, rreth 50 vjeç, është arrestuar nga policia e Shkodrës, pasi ka futur nën makinë një komshie të tij, shtetasen Katrina Hila, 54 vjeçe.
Gruaja ka marrë fraktura të rënda në këmbë kryesisht por edhe pjesë të tjera të trupit.
Ajo është dërguar menjëherë drejt spitalit të traumës për mjekim të specializuar.
Pas ndihmës mjekësore mësohet se gruaja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e ka gjetur 54 vjeçaren nën gomat e makinës të Hilë Simonit, rreth orës 7:30 të mëngjesit të sotëm.
Dyshohet se 50 vjeçari Hilë Simoni përpara se ta godiste dha ta vendoste nën rrotat e makinës, e ka rrahur 54 vjeçaren. Pas dhunës fizike, sipas dëshmive, më pas e ka zënë me makinën e tij.
Pas kësaj ngjarje ka mbërritur policia duke bërë të mundur fillimisht nxjerrjen nga poshtë makinës të Katrina Hilës dhe më pas arrestimin e 50 vjeçarit Hilë Simoni.
Gruaja po shkonte në kishën e fshatit, në mëngjes, kur komshiu i saj dyshohet se i ka dalë para dhe pasi e ka rrahur, më pas e ka vënë nën gomat e makinës.
Sipas dëshmive nga vendngjarja Katrina Hila dhe Hilë Simoni i kanë banesat shumë afër tyre, në lagjen Kërtollaj, të njësisë Guri Zi.
Mësohet se palët kanë pasur edhe një konflikt të mëparshëm mes tyre. Bashkëshorti i Katrina Hilës dhe Hilë Simoni janë konfliktuar më përpara, konflikt i cili ka vijuar deri më tani.
54 vjeçarja ka treguar ngjarjen e rëndë për policinë se fillimisht Hilë Simoni e ka goditur dhe më pas e ka zënë me makinë.
Por 50 vjeçari ka bërë një deklarim të kundërt duke thënë se ka qenë 54 vjeçarja Katrina Hila që i ka dalë para me një levë hekuri për ta vrarë dhe në atë moment nga frika e kam zënë me makinë.
Policia vijon hetimin për zbardhjen e plotë të këtij konflikti mes komshinjve që për pak u kthye në një tragjedi të rëndë.
/a.r