Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me dosjet e Gjykatës Speciale, të cilat po dorëzohen në OVL të UÇK.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “zhvillimet e fundit rreth kësaj teme, që po ushqejnë debatin mediatik, nuk i ndihmojnë Kosovës, të vërtetës së saj, dhe drejtësisë vendore e ndërkombëtare”.
“Kushdo që hasë në dokumente sensitive të hetuesisë e gjykatave, duhet menjëherë t’ia dorëzojë institucioneve përgjegjëse, e jo të ushqejë vazhdimin e spektakleve mediatike që dëmtojnë zhvillimin e drejtësisë dhe zbatimin e ligjit për të gjithë”, ka thënë Haradinaj.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“Me shumë shqetësim po ndjek spektaklin dashakeq të Dosjeve – që po e krijon padrejtësisht përshtypjen se Kosova është rreshtuar në anën e kundërt të drejtësisë!
Zhvillimet e fundit rreth kësaj teme, që po ushqejnë debatin mediatik, nuk i ndihmojnë Kosovës, të vërtetës së saj, dhe drejtësisë vendore e ndërkombëtare.
Kushdo që hasë në dokumente sensitive të hetuesisë e gjykatave, duhet menjehëherë t’ia dorëzojë institucioneve përgjegjëse, e jo të ushqejë vazhdimin e spektakleve mediatike që dëmtojnë zhvillimin e drejtësisë dhe zbatimin e ligjit për të gjithë.
Kosova si viktimë përballë agresorit, UÇK-ja, dhe populli i Kosovës janë angazhuar gjithmonë për t’u pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës, dhe të drejtës ndërkombëtare. Kështu do të mbetet gjithmonë!
/e.rr