Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk dorëzohet dhe kërkon që të gjejë gjuhën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama për të zgjidhur ngërçin e kampionatit të futbollit. Ai i ka dërguar një letër të hapur numrit një të qeverisë.
Letra e plotë
“I nderuar zoti Kryeministër! Shpresoj të kem vëmendjen Tuaj, në këtë moment historik për të krijuar një bazë ligjore, nxitëse për sportin në vendin tonë. Jo vetëm për të kapërcyer gjendjen, në të cilën ndodhemi, por për të çelur rrugën e zhvillimit normal e të formalizuar.
“Sot, ndodhemi në një situatë jo normale, të pazakontë e të padëshiruar. Është bllokuar rrotullimi i topit në Kategorinë Superiore e në akademitë e tyre, jo vetëm futbollistët profesionistë, por edhe fëmijët kanë mbetur pa dashurinë e tyre të madhe: FUTBOLLIN.
“Dialogu, mirëkuptimi e bashkëpunimi janë parësore në mentalitetin e sportistit dhe në botën e sportit. Nisur nga këto parime, Federata Shqiptare e Futbollit në vitin 2016 falë edhe rezultateve e paraqitjes së shkëlqyer të ekipit tonë kombëtar, i cili arriti objektivin më të madh historik, kualifikimin në finalet e Euro 2016, duke shfrytëzuar dhe vëmendjen e shtuar të qeverisë ndaj nesh, mori një iniciativë për propozimin e një pakete ligjore në interes të futbollit e të sportit në përgjithësi.
“Në mënyrë të përmbledhur, kjo paketë ligjore përfshinte ndërhyrjen në disa ligje e vendime të Këshillit të Ministrave me qëllim krijimin e një ekonomie sportive autonome. Me iniciativën tonë përgatitëm disa projektligje së bashku me relacionet përkatëse. Propozimet tona u mirëpritën nga komuniteti sportiv dhe nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit. Drejtoria Juridike e Këshillit të Ministrave ja përcolli këto propozime Ministrive për oponencë teknike.
“Ndërkohë, nga ana e Ministrisë së Financave, nuk u reflektua asnjëherë një vullnet pozitiv. Për më tepër, përmes një oponence mediokër, konstatuam një mungesë vizioni për të ardhmen e sportit shqiptar. Në këtë oponencë, nuk pati një studim të mirëfilltë të fizibilitetit të përfitimeve, që këto ndryshime do të sillnin. Aq më pak, në këtë aspekt nuk u mor parasysh studimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për kontributin ekonomik të sportit në ekonomi: “Ku çdo dollar i investuar, kursen katër të tillë, në shëndetësinë publike”.
“Futbolli nuk kërkon lemoshë zoti Kryeministër, por investime me sigurinë e garantuar, që ato do të kthehen katër herë më shumë në arkat e shtetit. Të bindur në nevojën e një pakete gjithëpërfshirëse në dobi të sportit, e përsëritëm kërkesën tonë edhe në seancën dëgjimore të komisionit përkatës parlamentar, lidhur me “Ligjin e ri të Sportit” në vitin 2017.
“Aftësia juaj për të transformuar krizat në mundësi, u testua dhe vërtetua, në mars 2019 gjatë takimit të zhvilluar me klubet. Ju i dëgjuat kërkesat e aktorëve të futbollit dhe i pranuat ato. Ju premtuat, se brenda një afati ambicioz prej 100 ditësh, t’i bëni realitet të gjitha kërkesat e tyre. U shprehët saktësisht, se duhet nisur një proces reformimi i thellë i futbollit. Kjo do t’u krijojë mundësi atyre që investojnë, që ta kenë investimin e garantuar, ndërsa atyre që janë jashtë, të jenë të interesuar për të investuar në futboll.
Vërej me keqardhje se për fat të keq grupi i punës i ngritur me urdhërin tuaj, shumë shpejt u përfshi nga përçarja dhe meskinitetet politike, me qëllim ngritjen e flamurit të reformatorit në sport. Kjo luftë e brendshme, e shoqëruar nga “JO”-ja e përhershme e “burokratëve të pandreqshëm” të Ministrisë së Financave, solli një zhbërje të produktit final. Që ndryshe nga ç’premtuat apo ndryshe nga ç’jua kanë transmetuar, nuk u materializua në një dokument reforme tërësore.
“Sa i takon “Ligjit të Sponsorizimit”, nuk ka asnjë kuptim që ai të mos jetë favorizues për futbollin dhe në përgjithësi për sportin. Kaq e vështirë është të ndjekim shembullin progresist të Hungarisë apo Gjermanisë?! Apo më tej, të bëjmë atë që bënë me këtë ligj, vende me ngjashmëri ekonomie dhe problematikë të njëjtë si Mali i Zi e Kosova.
“Siç edhe vihet re qartazi, “teatri” i futbollit nuk u shemb brenda natës, por pas katër vitesh insistimi për një shtrat ligjor që i shërben të gjithëve: Sportistëve, klubeve, bizneseve dhe vetë politikës, për të marketuar një premtim të mbajtur.
“Në të kundërt, “teatri” profesional i politikës ngriti siparin, në mënyrë kërcënuese, duke etiketuar 20.000 futbollistë e kushedi se sa sportistë të tjerë, si mosmirënjohës. Nuk ka mirënjohje për mëshirën. Mirënjohje ka për barazinë, solidaritetin në periudha të vështira dhe “fair-play”-n.
“Mirënjohje ka për ndërtimin e një ekonomie te shendetshme sportive, e cila të mos jetë e varur nga lëmosha qeveritare. I nderuar z. Kryeministër!
“Kjo është një çështje vullneti dhe jo takimesh të tejzgjatura që nuk sjellin asnjë produkt. Varet vetëm nga JU, nga pushteti JUAJ. Prandaj ju bëj thirrje miqësisht, ushtrojeni pushtetin Tuaj në të mirë të futbollit e të ndërprerjes së bojkotit.
Me besim në ndërgjegjen Tuaj, ju kërkoj edhe një herë të mbani premtimin e dhënë për një fillim të ri për sportin shqiptar. Sinqerisht, Armand DUKA”, – shkruan presidenti i FSHF-së.