Katër vite pas tërmetit që tronditi Italinë Qendrore, me një bilanc prej 300 jetë njerëzish të humbura dhe një grumbulli rrënojash, rindërtimi i Amatriçes mbetet ende një mirazh, shkruan gazetari i njohur italian Luca Di Lucio për të përditshmen ”La Republica”.
Rindërtimi u prezantua si kantieri më i madh i ndërtimit në Europë dhe u premtua se së shpejti këto territore, duke filluar nga Amatrice në Arquata, nga Ussita në Accumoli, do i ktheheshin një shkëlqimi të ri.
Por, realiteti, si gjithmonë, tregohet nga numrat: nga viti 2016 deri më sot, vetëm 186 ndërhyrje publike nga 2 347 të planifikuara kanë përfunduar, ose e thënë ndryshe, një shifër mjerane prej 7,92%.
Kantieret private të rindërtimit rezultojnë shumë më të mira në shifra: 2 544 ndërtesa janë riparuar nga 5 325 totale dhe 2 758 janë në proces, disa prej të cilave janë në fazën përfundimtare.
Këto të dhëna të bëra publike në prag të 4-vjetorit të tërmetit, u përpiluan nga zyra e Komisionerit të Jashtëzakonshëm për Rindërtimin, Giovanni Legnini.
Ja disa shifra të përditësuara në lidhje me 138 komunat e prekura nga tërmeti, shumica e të cilave janë nën 5 000 banorë, të shpërndara midis qarqeve të Abruzzo, Marche, Lazio dhe Umbria:
- Janë pak më shumë se 80 000 ndërtesa private të dëmtuara, ku 50 mijë janë dëmtuar seriozisht, mbi 11 000 mijë kërkesa për ndërhyrje (gjysma nga Marche), 526 milionë euro të paguara për rindërtimin e tyre.
- Pikën më të dhimbshme të rindërtimit e mbajnë ndërhyrjet publike: 2 347 ndërtime të planifikuara, shumica e të cilave janë shumë prapa me punimet dhe shumë të tjera as kanë filluar ende.
Le të analizojmë ndërtimin e shkollave:
- Nga 250 ndërhyrje, 75 nuk kanë filluar ende dhe 144 janë në fazën e planifikimit. Në total, vetëm 17 shkolla janë dorëzuar dhe vetëm 6 janë aktualisht në progres.
- Për të mos përmendur kazermat (0 në 35), zyrat komunale (0 në 126), spitalet (0 në 9), kullat dhe ndërtesat (0 në 48) apo varrezat (1 në 76).
- Kinematë, teatrot dhe muzeumet paraqiten disi më mirë, me shtatë objekte të përfunduara nga 35 struktura të planifikuara. Strukturat sociale diçka më mirë me 21 kantiere në 75 të totalit.
Ende shumë larg, ndërhyrjet në veprat e urbanizimit (18 nga 120) dhe mjediseve sportive (11 nga 34).
Por, e dhëna më mbresëlënëse e tragjedisë, është ajo që bie mbi objektet e ndërtimit të banesave rezidenciale dhe ku vetëm 7 nga 311 ndërhyrje kanë përfunduar.
Por, nuk janë vetëm vonesat në rindërtim ato që shqetësojnë ata që, pavarësisht gjithçkaje, kanë vendosur të vazhdojnë të jetojnë në këtë ”krater”.
“Po të analizojmë situatën, pothuaj 87% e qendrave të prekura nga tërmeti janë komuna të vogla, zona në të cilat, edhe para atyre goditjeve të tmerrshme, po luftonin fenomenin e shpopullimit. Tani, me pandeminë, emergjenca është bërë edhe më e madhe, pasi rreziku i vërtetë është që edhe kur rindërtimi të përfundojë, do të duhet ende shumë kohë që jeta të rinisë si më parë.
Rindërtimi është përparësia. Por si, dhe mbi të gjitha për kë, nëse ikja nga këto territore vazhdon?
Festimet për të përkujtuar katër vitet nga tërmeti do të jenë shumë më të përmbajtura, pikërisht për shkak të emergjencës së koronavirusit.
Në Arquata, për shembull, nuk do të ketë ndezje pishtarësh, por vetëm dy mesha, një në Pescara del Tronto dhe tjetra në Aria Sae.
Banorët kanë kërkuar që këto ngjarje të mos shndërrohen në pasarela elektorale.
“Përkujtimi ka për qëllim të kujtojë të gjitha viktimat e tërmetit dhe nuk ka vend për parada politike që synojnë fushatën elektorale, veçanërisht pas katër vjet harrese dhe braktisjeje totale”, shkruhet në FB e shoqatës ”Pescara del Tronto 24 gusht 2016”.