Në futboll mrekullitë ndodhin rrallë aq më tepër kur përballë ke një rival si Wolfsburg. Kukësi ishte i pafuqishëm për të vënë në jetë një mrekulli të tillë, aq më tepër që kishte dhe fatin kundër. Pas një fillimi të mirë, ku rastin e parë për shënim e kishte në këmbë Bruno Telushi, një gafë në mbrojtje në minutën e 21-të solli golin e avantazhit për Wolfsburg.
Në minutën e 33-të sërish një mungesë koordinimi në prapavijë solli dhe golin e dytë për ekipin gjerman.
Verilindorët u përpoqën të riktheheshin në lojë, e kishin një shans të tillë në minutën e 35-të, por Eduart Roca gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Trajneri Gega e nisi pjesën e dytë me dy zëvendësime të shpejta por që nuk patën asnjë efekt, ishte sërish Wolfsburg që realizoi dhe golin e tretë në minutën e 74-ët. Me dëshirën e madhe për të realizuar golin e nderit, Kukësi la hapësira pas ku Admir Mehmedi shënoi dhe golin e katërt. Kukësi i jep fund në këtë mënyrë aventurën në turin e dytë në Europa League.
g.kosovari