Partia Demokratike bën tre padi në prokurorinë e posaçme, e njohur si SPAK, për krime mjedisore, duke nisur nga ministri i Mjedisit Blendi Klosi, tek kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi.
Demokrati Jamarbër Malltezi tha sot se gjatë 8 viteve, qeveria e Edi Ramës ka bërë dëme të mëdha në çdo fushë.
Ai deklaroi se mes shumë dështimeve, që rëndojnë dhe ndikojnë për keq jetën e përditshme të qytetarëve, krimet mjedisore janë nga më të rëndat.
“Përmes korrupsionit, janë shkatërruar pasuri te mëdha natyrore, për rikuperimin e të cilave duhen me dhjetëra vite. Për të ndaluar shkatërrimin e tyre, ne sot do të depozitojmë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion 3 padi penale ndaj zyrtarëve përgjegjës për katrahurën mjedisore në Parkun Kombëtar të Dajtit, në Monumentin e Natyrës “Uji i Ftohtë” në Tepelenë dhe për vjedhjen e fondeve të mjedisit. Blendi Klosi, Zamir Dedej, Edison Konomi dhe Tërmet Peçi duhet të mbajnë përgjegjësi penale për shkatërrimin e pasurive natyrore të vendit”, u shpreh Malltezi.
/a.r