Gjykata e Posaçme ka dhënë këtë të martë dënimin me 21 vite burg për Arbër Çekajn. Pronari i “Arbi Garden” përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe për këtë arsye dënimi ulet në 14 vjet heqje lirie.
Në Shkurt të 2018-s, autoritetet zbuluan në portin e Durrësit sasinë rekord prej 613 kilogramë kokainë, të fshehur në një kontenier me banane, në pronësi të Çekajt. Arbër Çekaj u arrestua në Maj të vitit të kaluar në Gjermani.
Avokati i Arbër Çekajt, Maks Haxhia, u shpreh kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme për dënimin me burg ndaj klientit të tij.
Në fund të seancës, Haxhia tha se ky është një vendim qesharak dhe skandaloz, pasi sipas tij, gjykata nuk pati asnjë provë kundër Çekajt.
“Kemi bërë 28 kërkesa dhe nuk është pranuar asnjë. Që në fillim të seancës dhe në të gjitha të tjerat në vijim kemi kërkuar mediat të jenë të pranishme dhe për çudi kjo gjykatë tha se ka një vendim të qeverisë për mospranimin e mediave dhe qesharake është se në fund i pranoi mediat. Ky është një proces komik. Ju siguroj se kushdo profesionist do të skandalizohet me këtë vendim, pasi nuk pati asnjë provë. Më qesharakja ishte në fund të vendimit, kur ju e dini se 1 kg hashash të gjendet në një makinë, sekuestrohet makina, ndërsa gjykata, kur janë gjetur 613 kg kokainë, vendosi që kontenieri t’i kthehet pronarëve.
Ajo është më tragjikja në këtë proces është se nuk pati një provë. Unë s’jam Zoti që të them nëse e ka bërë apo jo Arbër Cekaj këtë, sepse Zoti i sheh të gjitha, por iu thashë se nuk ka prova. Po të ishit në seancë, do të dëgjonit me prova dhe video të regjistruara, që provojnë katarcipërisht pafajësinë e Cekajt”, tha avokati Haxhia.
/a.r