Nga Alba Malltezi
Sigurisht që titulli nuk është një lajmi vërtetë! Eshtë një fake news. Por a e dini se një fake news përhapet në rrjet 6 herë më shpejt se një lajm i vërtetë? Pak kohë më parë, në habinë e shpejtësisë së përhapjes së genjeshtrave edhe në Shqipëri në krahasim me të vërtetat, shkruajta: “Le të përhapen! Kështu përhapësit i njohim më mirë, njohim më mirë ekstremet e tyre. Përhapsit e fake dalin kështu lakuriq!” Por kjo teori do të ishte e vërtetë nëse kemi një ind social të shëndetshëm dhe të vëmendshëm, nëse jemi të sigurtë që kush lexon, arsyeton dhe mendon me kokën e vet dhe jo me imponime të algoritmeve të internetit dhe thashethemeve. A po ndodh dhe në Shqipëri e njëjta gjë që po ndodh në botë? A janë imunë shqiptarët dhe sidomos fëmijët ndaj kesaj pandiemie te rrjeteve sociale?
Këto ditë po tërheq vëmendjen një dokumentar i realizuar nga Jeff Orlowski dhe i shpërndarë nga Netflix: “The social Dilemma”, dilema e rrjeteve sociale. E lexova ne një faqe shqiptare që e reklamonte dhe nën të nuk kishte asnjë “like”, pëlqim. Vendosa ta shoh dhe konkluzioni është ndriçues. Eshtë një nga dokumentarët më të bukur e të vlefshëm. Eshtë nga ato momente që mund të jenë nisja e ndryshimit të gjërave, e rënies dhe ristartimit të një tjetër epoke. Duhet parë me vëmendje “The social Dilemma”, nëse duam të jemi protagonistë, dhe jo si deri tani, sasi pëlqimesh për këtë apo atë foto, ide, fake news, teori komplotesh.
Social mediat, ato që lindën si një mjet fantastik për të bërë bashkë botën, për të komunikuar, ndihmuar, globalizuar, sot janë kthyer në një tokë të minuar e të mbushur me gracka të tmerrshme sidomos për fëmijët, të lindurit në një epokë të internetit që sa vijnë depersonalizohen, depresohen dhe demotivohen deri edhe në dilemën për të jetuar, të bombarduar nga lajme dhe modele false. Për të dalluar, duhet humusi i duhur intelektual dhe real, që brezi Z, rrezikon ta ketë të cënuar.
Para disa kohësh në komentet në FB një kolege kishte bërë një koment negativ për mua. Nuk di se si, por FB, edhe pse nuk ishte mes friendsave të mi, bëri “magjinë” e tij që unë ta lexoja komentin e dashakeqës. Tamam si në dokumentarin “The social Dilema” mesa duket pritej reagimi im, replika dhëmbë për dhëmbë. Në kohë të tjera do të kisha reaguar. Isha takuar vetëm dy herë në jetën time me këtë gazetare, takime kortezie, asnjehere s’kemi punuar ne nje redaksi, madje shkembyem realisht edhe vlerësime reciproke. Në kohë të tjera do të përgjigjesha se nuk isha ashtu si i kanë thënë se isha, por papritur më erdhi në mendje se çfarë më kishin thënë mua se ajo ishte. Fjalët e thëna dhe të shkruara për të ishin të tmerrshme, 1000 herë më të sikletshme nga çfarë kolegia po shkruante me të dëgjuar për mua. Atëherë? C’situate e sikletshme! Eshtë kjo social media? Humnera e urrejtjes? Ku shumë prej nesh shkruajnë dhe komentojnë me atë që dikush u ka thënë se ka ndodhur, është bërë? A po u heqin social mediat sot kokë, mendjen dhe zemrën miliona e miliona njerëzve? Dhe kjo është një masakër e ngadaltë, e ëmbël, e bërë me pastime, foto, video e varësi gati kimike ndaj rrjeteve. Sa pëlqime kam marrë? Sa ndjekës kam? Sa zemra, ok, komente negative dhe pozitive. A u pëlqej shumë vetëve, në mos? Studiues amerikanë ngrenë alarmin për nivelin e lartë të të rinjve në depresion në Shtetet e Bashkuara, në numrin e lartë të vetëvrasjeve për shkak të uljes së vetëvlerësimit. Dhe jo vetëm kaq, vrapimi marramendës i fake news bëjnë që njerëzit të keqkuptojnë, të bëhen agresivë e të lëndojnë njëri-tjetrin. A ka studime per gjendjen tek ne?
A duhet ndalur, riparuar, kjo autostradë e rrezikshme virtuale që po prek jetë reale? Disa ish punonjës si Tristan Harris i Google, apo te tjere te Facebook, Yuoutube etj. japin zgjidhjet e tyre, por këto zgjidhje vlejnë vetem nëse sa më shumë prej nesh hapin sytë. Zgjohemi bashke nga vartësia më e rrezikshme e krijuar ndonjëherë. Dhe saper titullin, me siguri, per dikë ,Berisha mund të jetë engjëll. Per dikë që ndjek fjalët, jo faktet.