Në nisje të vitit të ri shkollor, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot marrjen e masave në shkollën 9-vjeçare “Bashkim Berisha” në Ndroq, e cila është rikonstruktuar me kushte më të mira për 270 nxënësit. Veliaj tha se bashkia ka mbajtur fjalën duke investuar njësoj, me të njëjtën cilësi, si në qendër, edhe në periferi.
“E kemi balancuar qendrën me periferinë. Ishte mision i bashkisë për të mbajtur fjalën, për të thënë se siç investojmë në ish Bllok, investojmë edhe këtu në Ndroq, edhe në Vaqarr, edhe në Pezë, edhe në Farkë, në të gjitha periferitë e Tiranës. Më vjen mirë që shkolla e Ndroqit, “Bashkim Berisha”, ka një mjedis të rinovuar, me ambiente të dyfishuara dhe një staf pedagogjik fantastik”, deklaroi ai.
Veliaj shtoi se diferenca mes administratës së mëparshme, e cila nuk bëri asnjë shkollë, dhe të sotmes, është e qartë. “Pavarësisht se si do shkruhet historia e qytetit, diferenca mes nesh dhe atyre që ishin përpara është e qartë: Ne kemi ndërtuar shkolla, shkolla, shkolla, sepse investimi tek e ardhmja është investimi më i sigurt. Më shumë se sa të investohemi në asfalt, për të cilin do ketë gjithmonë nevojë, parapëlqejmë të themi se çerdhet, kopshtet, shkollat duhet të jenë model. Po u rrit gjenerata e çunave dhe gocave të Tiranës me këtë cilësi, me edukatë, mirësjellje, me solidaritet, me aftësi, qoftë për gjuhë të huaja, qoftë për matematikë, fizikë apo shkenca, atëherë sigurisht që ky qytet ka të ardhme”, tha ai.
Kryebashkiaku nënvizoi se ky vit ka qenë viti kampion i hapjes së shkollave, kopshteve e çerdheve të reja. “Ky ndoshta, ka qenë viti ynë kampion i hapjes së shkollave, kopshteve e çerdheve të reja, çka bën një kontrast shumë të madh. Nuk dua të merrem me politikë, por jam shumë i lumtur kur shoh se një Berishë ka emrin e shkollës në Ndroq, e cila quhet “Bashkim Berisha”. Ka nevojë për bashkim, jo për “përçarje Berisha”, jo për “toksinë Berisha”, jo për “helm Berisha”, jo për “ndasi Berisha”. Kemi nevojë për bashkim. Emri i “Bashkim Berishës”, i një sportisti, do të thotë se ne i respektojmë të gjithë njerëzit, por sidomos ata njerëz që janë për bashkim dhe solidaritet”, vijoi Veliaj.
Ai deklaroi se edhe sfida në betejën e ardhshme, është mes atyre që janë për bashkim dhe investojnë edhe arsim dhe atyre që përçajnë e shpifin. “Në sfidën që do kemi vitin tjetër, beteja do jetë kush na bashkon dhe kush na përçan, kush investohet në arsim, kush investohet në injorancë; kush investohet në të vërtetë dhe kush investohet në fakte të rreme apo në përçudnimin njerëzor të atyre vlerave që na bashkojnë”, tha kryebashkiaku.
Deputeti i PS, Arben Pëllumbi tha se falë këtij investimi, edhe nxënësit e Ndroqit kanë mundësi që, në këtë periudhë pandemie, ta bëjnë mësim në kushte më të mira. Kurse, drejtoresha e shkollës, Anila Banaj falenderoi kryebashkiakun për vëmendjen e treguar në rikonstruksionin e shkollës.