Partia Demokratike, në një reagim për largimin e Besa Shahinit nga posti i Ministres së Arsimit dhe zëvendësimin e saj me Evis Kushin, thotë se nuk ka rëndësi si quhet ministrja e re, pasi sipas selisë blu, secila është pasqyrë e dështimit të Edi Ramës me arsimin.
“A është më mirë arsimi në vitin e 8-të dhe të fundit të qeverisjes së Edi Ramës? Demokratë dhe socialistë kanë të njëjtën përgjigje: Jo! Nuk ka rëndësi si quhet ministrja e Arsimit, Lindita, Besa, Evis. Secila është pasqyrë e dështimit të Edi Ramës me arsimin”.
Në reagimin e saj, Partia Demokratike thotë se investimet në arsim janë me pikatore, sepse Edi Rama mashtroi qytetarët.
“- Ai jo vetëm mashtroi me financimin prej 5% të prodhimit të brendshëm bruto në arsim, por e uli çdo vit fondin duke e çuar Shqipërinë në vendin e fundit në rajon. – Shkollat sot janë më keq, ato jo vetëm nuk i përgjigjen zhvillimit të teknologjisë, por pjesa më e madhe e tyre me infrastrukturë të degraduar. Nuk bëhet fjalë për tabletat, apo laboratorët modernë të premtuar në shkolla që nuk kanë as kushtet më minimale, as ujë të rrjedhshëm. – Mësuesit janë çdo ditë nën presion politik, drejtuesit e shkollave janë militantë partiakë. Kjo ka ulur ndjeshëm cilësinë në shkolla. – Siguria në shkolla është ulur. Në to janë fshehur edhe krime monstruoze vetëm për të mos dëmtuar imazhin e qeverisë”.
Sipas Partisë Demokratike, në 7 muajt e mbetur deri në Prill, Ministrja e re e Arsimit, ka 2 detyra në të cilat paraardhëset e saj kanë dështuar.
“1-Të sigurojë testimin e të gjithë mësuesve, shpërblimin e tyre për vështirësinë e punës dhe kushte minimale anticovid në shkolla. 2- Të mos i bindet shefit të saj në ikje për të përdorur mësuesit në zgjedhje”.
/a.r