Presidenti i Republikës, Ilir Meta solidarizohet me mesazhin e Papa Françeskut, drejtuar të gjitha qeverive ndaj të cilave protestohet.
Në një status në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se qeveritë duhet të dëgjojnë zërin e qytetarëve, sidomos të atyre që janë më në nevojë.
“Koha që zëri i qytetarëve të dëgjohet nga të gjithë!” shkruan Presidenti Ilir Meta, duke aluduar mes rreshtave edhe për protestat e herëpashershme në vendin tonë.
Postimi i Kreut të Shtetit
“Solidarizohem me mesazhin e mençur të Papa Françeskut drejtuar qeverive ndaj të cilave protestohet, që ta dëgjojnë zërin e qytetarëve, sidomos atyre që janë më në nevojë e kushte më të vështira, dhe t’i mbështesin aspiratat e tyre të drejta.
KOHA QË ZËRI I QYTETARËVE TË DËGJOHET NGA TË GJITHË!”
Po çfarë mesazhi jep Papa Françesku?
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek “manifestimet e shumta popullore të protestës, që shprehin pakënaqësinë e shoqërisë civile përballë situatave politike e shoqërore posaçërisht kritike.
“Ndërsa i nxis demonstruesit t’i paraqesin kërkesat e tyre në formë paqësore, pa rënë në tundimin e agresivitetit e të dhunës, u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë përgjegjësi publike e qeveritare ta dëgjojnë zërin e bashkëqytetarëve të tyre e t’i mbështesin aspiratat e tyre të drejta, duke respektuar plotësisht të drejtën njerëzore dhe liritë civile”.