Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Arrestohen dy persona që transportuan 25 emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Komisariatin e Policisë Devoll dhe Komisariatin e Policisë nr. 3, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, është goditur një tjetër rast i aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 19 vjeç, banues në Shkodër, u bë ndalimi me urdhër të Prokurorisë i shtetasit L. B., 26 vjeç, si edhe u shpall në kërkim shtetasi E. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi A. K., është kapur nga punonjësit e Komisariatit të Policisë Devoll, në rrugën nacionale Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj, duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz” 25 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se edhe dy shtetasit e tjerë janë të implikuar në këtë ngjarje si bashkëpunëtorë të 19-vjeçarit A. K.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.