Lazio është në krizë dhe një nga shpëtimtarët e mundshëm është Gianni De Biasi. Trajneri Stefano Pioli ka pasur dje një bisedë të gjatë kokë më kokë me drejtorin sportiv, Igli Tare, çka ka sjellë edhe mungesën në stërvitje, e drejtuar nga ndihmëstrajneri.
Presidenti Claudio Lotitto është tepër i zemëruar me paraqitjet e skuadrës, e cila ka mbetur shumë poshtë kreut në renditje, me vetëm një pikë në katër ndeshjet e fundit, dhe tani pozitat e trajnerit janë lëkundur shumë.
Sipas shtypit italian, janë disa kandidatë të mundshëm për të marrë drejtimin në rast se Lazio humbet në dy ndeshjet e radhës, kundër Dnipros në Europa League dhe Empolit në kampionat. Mazzarri, Lippi e Del Neri janë në listë, por, sipas burimeve italiane, preferenca e Tares është De Biasi.
Pak muaj më parë, Tare është përmendur në Itali si pasues i mundshëm i italianit në kombëtaren shqiptare dhe De Biasi tha me shaka se do ta pranonte me kënaqësi një shkëmbim vendesh. Por, mund të materializohet një tjetër variant, ai i bashkëpunimit të të dyve në pankinën e klubit roman, në mos tani, verën e ardhshme, pas përfundimit të finaleve të Euro 2016 në Francë.