Gjykata e Posaçme Anti Korrupsion ka vendosur ditën e sotme burg përjetë për grekun Ethimious Efthimiou, i cili ka vrarë Devi Kasmin më 29 janar 2018 në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. GJKKO ka vendosur 33 vite burg edhe për bashkëpunëtorin Elton Halipajn.
Devi Kasmi u qëllua disa herë me pistoletë në kokë dhe trup, ndërsa policia dyshohet se porositës i vrasjes së tij është Domart Konjari, i cili kërkohet nga autoritetet shqiptare, por edhe ato franceze. Vrasja ka dyshime se ndodhi për prishje të pazareve të kokainës në Francë dhe Spanjë. Edhe gjatë kontrollit të banesës së Kasmit u gjetën 3 kilogramë kokainë, 300 gramë drogë LSD dhe një armë automatike.
Për këtë ngjarje ishin nën akuzë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal ish-speciali grek Efthimios Efthimiu si ekzekutori i Kasmit, Aurel Hoxhallari alias Altin Hoxhallari, Elton Habilaj, Marvin Dinellari, Elton Hoxhallari dhe Marjo Meshini.
Për Marjo Meshinin, i cili dyshohet se nxori nga shtëpia Devi Kasmin natën e atentatit, dosja i kalon Gjykatës së Tiranës. Emri i të riut u zbulua pas verifikimit të thirrjeve dhe mesazheve telefonike në telefonin e Kasmit. Ai ishte kthyer në Shqipëri pas vitesh që qëndonte jashtë ku dyshohej se ishte përfshirë në narkotrafik.
Prokuroria ka konkluduar se këta shtetas njihen me njëri-tjetrin dhe kanë planifikuar vrasjen prej disa muaj para se ta ekzekutonin Devi Kasmin. Hetimet për këtë rast u nisën nga Prokuroria e Tiranës e cila më pas shpalli moskompetencë pasi u zbulua dhe grupi strukturuar kriminal dhe baza e tyre në zonën e Yrshekut.
“Nuk e njoh Devi Kasmin, hera e parë që dëgjova për të ishte në lajme kur u ndalova nga policia. Nuk mbaj mend se çkam bërë para 4 mujash më 21 Janar 2018, ose në kafe ose gjëra të zakonshm”, tha greku për prokurorët.
Ndërsa i pyetur për kamerat e sigurisë që rrethonin bazën e tyre në Yrshek ai thotë: “Unë nuk i kam parë ato, ato kush është në shtëpi i sheh ato shfaqen në ekranin e kamerave dhe në lagje kishte shumë vjedhje, prandaj ishin vënë shumë kamera dhe i kam parë për herë të fundit para se të ndalohesha”.
Prokuroria në atë kohë tha se është e provuar përtej çdo dyshimi se “shtetasit në hetim Aurel (altin) Hoxhallari, Efthymiu Efthymiu, Elton Habilaj, në bashkëpunim mes tyre dhe të tjerë kanë planifikuar dhe kryer vrasjen e Devi Kasmit”.
Në banesën një katëshe e përdorur si bazë e grupit u sekuestruan: bomba, mina, 100 fishekë, 7 armë të kalibrave të ndryshme, 1 granat, 3 predha antitank, 5 granata, 5.6 kg tritol, 2 minta të gatshme për shpërthim, 6 selenciatorë, dylbi, shënjestra optike dhe 115.6 kg kanabis. Shtetasi grek rezulton se ka hyrë në Shqipëri më 10 nëntor 2017 i shoqëruar nga Aurel (Altin) Hoxhallari e deri ditën që u krye vrasja e Kasmit ka qëndruar në Shqipëri, ka zbuluar Prokuroria në hetimin e saj.
/e.rr