Rudina Hajdari është tashmë pjesë e Nismës Thurje e cila mesa duket ka ndezur gjithashtu ‘motorët’ e garës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Deputetja ka nisur një tur takimesh dhe fton këdo që t’i bashkohet e t’i shkruajë.
“Faleminderit për mbështetjen. Kam filluar këto ditë një tur takimesh në lagjet dhe fshatrat e Tiranës me qytetarë të thjeshtë, për të dëgjuar mendimet e tyre dhe ndarë idetë e projektit të ri politik.
Jam e mrekulluar nga niveli i lartë i mbështetjes që po gjej kudo por mbi të gjitha nga mendimet dhe idetë e pjekura që po marr nga të gjithë.
Qytetarët e thjeshtë i kanë idetë shumë më të qarta se shumica e klasës politike apo analistëve.
Ata duan ndryshim dhe e duan atë pa kompromise dhe larg pazareve të vjetra. Duan që fëmijët ti rrisin këtu e jo ti degdisin larg në dhé të huaj.
Duan që taksat e tyre të përkthehen në spitale, shkolla apo rrugë e trotuare e jo në vila luksoze për politikanët.
Duan që pasuritë e vendit të prodhojnë mirëqënie për fëmijët e të gjithëve e jo vetëm për një grusht njerëzish me pushtet.
Duan një forcë politike që nuk operon si biznes privat i një familjeje por si një aset publik i kontrolluar nga qytetarët”, shkruan Hajdari teksa falenderon të gjithë ata që i janë bashkuar.
“Këto ditë kam marrë shumë energji, dhe duke i falenderuar ata 568 persona që janë regjistruar ftoj të gjithë ata që kanë dëshirë të flasin me ne dhe të na bashkohen të regjistrohen te rudinahajdari.al.
Ju premtoj se do ju takojmë të gjithëve pa përtuar duke ardhur aty ku banoni. Shqipëria i përket njerëzve punëtorë, të ndershëm e të palodhur e jo të pangopurve.
Le të vazhdojmë të bashkohemi! Më shkruaj”, bën apel Hajdari.