NATO-ja tha se nuk ka planifikuar ngjarje specifike me Serbinë në muajt e ardhshëm, porse mbetet e përkushtuar për një partneritet, “në interes të stabilitetit dhe sigurisë në rajon”.
Aleanca Veri-atlantike i bëri komentet për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, pasi Qeveria e Serbisë vendosi të mërkurën që, në gjashtë muajt e ardhshëm, t’i ngrijë të gjitha stërvitjet dhe aktivitetet ushtarake.
“NATO e vlerëson partneritetin afatgjatë me Serbinë. Si të gjitha partneritetet e tjera, edhe partneriteti me Serbinë bazohet në kërkesat e vendit partner”, thuhet në reagimin dërguar Radios Evropa e Lirë.
Vendimi i Qeverisë së Serbisë erdhi një ditë pasi Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë publikoi informacionin se pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Ushtrisë së Serbisë do të marrin pjesë në stërvitjen e përbashkët me Rusinë dhe Bjellorusinë, të quajtur “Vëllazëria sllave”.
Kjo stërvitje do të mbahet në Bjellorusi në mes të shtatorit.
Duke folur për vendimin e qeverisë, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se ai është marrë për të ruajtur pozicionin e neutralitetit ushtarak të Serbisë dhe “për të shmangur, ose së paku zvogëluar, pasojat e sulmeve të intensifikuara ndaj Serbisë”.
Serbia ndodhet nën presion “të tmerrshëm dhe të pamerituar” nga Bashkimi Evropian, tha Vulin.
Bjellorusia është duke u përballur me demonstrata masive nga qytetarët qëkur presidenti bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, shpalli fitoren në zgjedhjet e gushtit.
Serbia e ka mbështetur Deklaratën e Bashkimit Evropian të 11 gushtit, për zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, e cila thotë se qytetarët e Bjellorusisë “kanë treguar një dëshirë për ndryshim demokratik” gjatë fushatës zgjedhore, por që “zgjedhjet nuk kanë qenë as të lira, as të drejta”.
/e.rr