Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u ka bërë sot thirrje të rinjve të aftë në çështjet e botës kibernetike që të bashkohen me Policinë e Shtetit për të luftuar krimin në këto hapësira virtuale.
Ky apel u bë publik gjatë ceremonisë së prezantimit të skuadrës “Shqiponja” në DVP Durrës, ku morën pjesë edhe deputetë, drejtues të pushtetit lokal dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.
Një thirrje të ngjashme Lleshaj u drejtoi edhe të rinjve që kanë kryer universitetin në disa specialitete të tjera si ekonomi, financë, bankë, elektronikë etj.
Pasi nënvizoi faktin se gjatë këtyre viteve strukturat e Policisë janë rritur numerikisht me rreth 17%, ai tha se edhe këtë vit pritet të hyjnë në në Akademinë e Sigurisë, edhe rreth 300 të rinj e të reja. Po ashtu do të vijojnë prurjet nga fondi i ekselencës, nga universitetet.
Kjo rritje sasiore përkon me strategjinë e sigurisë dhe synon që të afrohet me mesataren e rajonit dhe të vendeve europiane për numrin e punonjësve të policisë për frymë të popullsisë.
“Përmes shtimit të organikës së Policisë ne ecim sipas strategjisë, që kërkon më shumë punonjës policie për t’iu afruar mesatareve të rajonit dhe vendeve europiane”, tha Lleshaj.
Ministri theksoi se, “kjo është ndër shtesat më të konsiderueshme në numrin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit që janë bërë në këto vitet e fundit”.
“U bëjë thirrje të gjithë atyre që ndihen të aftë për t’u futur në hapësirën e padukshme kibernetike dhe për të operuar atje si punonjës të Policisë së Shtetit”, tha Lleshaj.
“Paradoks që nga njëra anë kemi njerëz të dënuar për veprimtari kriminale dhe nga ana tjetër ishin në zotërim të pasurive të pajustifikuara që qartësisht burojnë nga veprimtari e paligjshme”, deklaroi Lleshaj.
/e.rr