Në Shqipëri koronavirusi ka shfaqur komplikacione dhe tek fëmijët. Aktualisht tetë pacientë të vegjël, disa dhe me sëmundje të tjera, tregon shefja e shërbimit Infektiv Pediatrik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” Gjeorgjina Kuli po trajtohen në pavionin e hapur për Covid 19.
“Kemi edhe fëmijë të shtruar momentalisht me forma të komplikuara, me përfshirje të mushkërive. Apo fëmijë që janë infektuar nga koronavirusi, por që kanë sëmundje kronike si sëmundje të mushkërive, astmë, fibrozë etj. Kemi 8 fëmijë të shtruar në pavionin e koronavirusit, dy prej të cilëve janë me terapi, me oksigjen, por jo në kushte për kalimin në repartin e terapisë intensive”, shprehet Kuli.
Megjithkëtë pjesa më e madhe e të infektuarve të vegjël e kanë kaluar lehtë ose pa shenja klinike koronavirusin.
Në gjashtë muaj pandemi 276 fëmijë nga 2 muajsh deri në 14 vjeç janë konfirmuar me Sars Co V 2. Mjekja infeksioniste mendon se numri i të prekurve mund të jetë më i lartë, por aktualisht pozitivë janë vetëm rreth 17% e tyre.
Me hapjen e shkollave rritet dhe mundësia e transmetimit të virusit. Shefja e Shërbimit Infektiv për Fëmijë këshillon respektim rigoroz të masave anticovid në shkolla dhe vëmendja e veçantë nga ana e prindërve.
“Prindërit në shtëpi patjetër duhet që çdo mëngjes duhet të termometrojnë fëmijët. Nëse fëmija ka temperaturë të mos bëjmë justifikime amatore u ftoha nga kondicioneri, por duhet të njoftojë mjekun e familjes”, thotë Kuli.
Koronavirusi sipas mjekëve do vijojë të jetë mes njerëzve deri në daljen e një vaksine dhe izolimi i mëtejshëm do të shoqërohej me pasoja të rënda psikologjike tek fëmijë prandaj e vetmja gjë që mund të bëjmë thonë specialistët është përshtatja me situatën e re që po jetojmë.
g.kosovari