Kreu i grupit parlamentar demokrat Myslim Murrizi apeloi për çuarjen para të reformës në drejtësi dhe përmbylljen e kodit zgjedhor në këtë sesion të parafundit parlamentar.
Duke folur për zgjedhjet e 25 prillit, Murrizi tha se shqiptarët do zgjedhin për herë të parë pas 12 vitesh, individët që ata besojnë. Ai theksoi se do të garojë me lista të hapura.
“Meqë sesionit të fundit i ngelen dhe 5 javë meqë kryetari i shtetit pasi u konsultua caktoi 25 prillin dhe 45 ditë para mbyllet, uroj që ky sesion të shërbejë për të vazhduar reforma në drejtësi dhe për të përmbyllur ëndrrën e shqiptarëve për një kod zgjedhor që gara të sjellë një rezultat të mirëpranuar. Është detyrë e këtyre deputetëve, mision dhe fushatë e cila ka filluar dhe këto ditë rishtas.
Shqiptarët në 25 prill 2021 do dinë të ndëshkojnë me votë çdo mashtrues të këtyre 4 viteve në këtë sallë. Do zgjedhin për herë të parë pas 12 vitesh, individët që ata besojnë. Hipokrizia e të zgjedhurve qese, babëzia e të lëpirit ka marrë fund më 30 korrik 2020. E di që nuk ju ka pëlqyer të gjithëve, si atyre që janë brenda dhe jashtë. Unë personalisht së bashku me deputetë të opozitës do garojmë me lista të hapura. Këtë vullnet e pres nga maxhoranca dhe nga ata që kërkojnë atë që kërkojmë dhe ne, 100%e listave të hapura ta sanksionojmë në kodin zgjedhor. T’u rikthehemi rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Të jemi të barabartë në kutitë e votimit. Pallavrat dhe dallaveret, zënkat formale me njeri-tjetrin, apo tenderët për makinën e akulloreve mos na i shisni shqiptarëve dhe as neve. Të bëjmë administratë zgjedhore dhe të fuqizojmë kodin penal. Shqiptarët votojnë atë që duan”, deklaroi Murrizi.
Ai theksoi më tej se 25 prilli nuk është pushtet me rrotë por me votë. “Sa më vjen ndot kur dëgjoj rrotacion dhe jo votacion. Pse janë të detyruar shqiptarët 8 vjet të mbajnë në kurriz njëherë një rrotë dhe njëherë rrotën tjetër.
Edhe këtu dhe jashtë kësaj salle mua dhe kolegëve na anatemuat, stigmatizuat, nënvlerësuat por fati e deshi që e drejta të triumfojë”, u shpreh ai.
Duke u kthyer nga qeveria, Murrizi foli për shqiptarët në Greqi dhe kërkoi të ndahen paratë e premtuara për pagat e luftës.
“Dy fjalë për qeverinë. Edhe pse muaj pushimi teorik, shumë qytetarë më kanë shkruar se ministri Majko të interesohet pranë ambasadës greke sepse ka bllokuar dhënien e vizave si për bashkimet familjare si për vizat e punës. Nëse është hall i detit, shqiptarët se kanë këtë hall. Me pagat e luftës mos bëni show. E keni ndarë në 5 pjesë.
Uroj dhe shpresoj që së bashku t’i japim një shtysë të mëtejshme dhe reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi është nismë jo shqiptarësh. Unë këtu kam qenë, është një nismë e amerikanëve që detyroi një parlament ta votonte atë reformë 140 me zero”, deklaroi Murrizi.
/a.r