Mbi 50 mijë njerëz u mblodhën në sheshin qendror të Podgoricës, mbrëmjen e të dielës në një tubim të madh të organizuar në mbështetje të partisë së presidentit Milo Gjukanoviç. Manifestimi u konsiderua si një “tubim patriotik në mbrojtje të Malit të Zi”, pasi në shesh merrnin pjesë edhe përfaqësues të pakicave etnike, të shqiptarëve, boshnjakëve, turqve, etj.
Përfaqësuesit e komunitetit boshnjak i bënë thirrje drejtuesve të dy partive pro-europiane që pritet të formojnë koalicionin e ri qeverisës me pro-serbët, ku bën pjesë edhe shqiptari Dritan Abazoviç, që të mos e dorëzojnë pushtetin tek “çetnikët serbë” siç i quajtën ata radikalët pro-Beogradit. Në të kundërt, manifestuesit paralajmëruan se këto parti do të hyjnë në listën e tradhëtarëve të kombit.
Në mbështetje të tubimit, kryeministri në largim Dushko Markoviç komentoi në Twitter me fjalët “Qoftë i përjetshëm Mali i Z!”. Tubimi mori shkas edhe nga sulmet kundër pjesëtarëve të komunitetit boshnjak mysliman në Pljevlja pas zgjedhjeve të 30 gushtit, nga mbështetës të partisë pro-serbe.
Edhe pse u rendit e para, Partia e Demokratëve Socialistë të Gjukanoviçit nuk arriti të bindë partitë pro-europiane për një koalicion qeverisës. Ato pritet t’ia japin këtë mundësi grupimit pro-serb me kushtin e padiskutueshëm të ruajtjes së kursit europian.
/a.r