Presidenti i Francës Hollande ka takuar këtë të martë në SHBA Presidentin Barack Obama për të diskutuar në lidhje me pozicionin dhe luftën e aleatëve kundrejt Shtetit Islamik, pas asaj që ndodhi në Paris më 13 nëntor.
Në konferencën mediatike ku morën pjesë dy Presidentët u artikulua nga të dyja palët se lufta kundër barbarisë së ISIS do të jetë e unifikuar dhe do të përfundojë atëherë kur shteti Islamik të shuhet.
Por nga ana tjetër, të pyetur nga gazetarët, as Obama dhe as homologu i tij francez nuk pohuan për mundësinë e një sulmi me trupa tokësore.
Obama i qëndroi linjës së tij se në Siri nuk do të sulmohet me trupa tokësore por vetëm nga ajri, një variant i cili u mbështet po ashtu edhe nga Presidenti Hollande. Kreu i shtetit të Francës pohoi për herë të parë se as vendi i tij nuk do të sulmojë ISIS me trupa tokësore, por nga ana tjetër do të vazhdojë të kryejë sulme ajrore, kësaj here në zona më strategjike. Me këtë term Hollande iu referua rafinerive të naftës që zotërojnë militantët e ISIS si dhe bazat e tyre qendrore.
Hollande shtoi po ashtu se brenda kësaj jave ai do t’i drejtohet Rusisë për të patur një takim edhe me Presidentin Putin në lidhje me të njëjtën cështje, luftën kundër ISIS.
Nga ana tjetër, Presidenti Barack Obama, ndryshe nga herët e tjera ka përshëndetur rolin “kontrukstiv” të Rusisë në luftën kundër ISIS, por ka theksuar se sulmet ajrore Ruse kundër grupeve të opozitës së moderuar siriane kanë qenë një gabim, që ka sjellë fuqizimin e rregjimit të Bashar al Assad, me të cilën SHBA është p[rej kohësh tashmë kundër.