Familja Cali ka reaguar ditën e sotme pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë për të ndryshuar masën e arrestit për deputetin e përjashtuar nga Partia Socialiste, Armando Prenga.
Armando Prenga i dyshuar si një nga protagonistët kryesorë të përplasjes me armë në oborrin e komisariatit të Kurbinit, ka mundur lënë dje qelinë e burgut, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për të, nga arrest me burg në arrest shtëpie.
Por ky vendim ka ngjallur reagimin e familjes Cali, të cilët shprehen se ky është një vendim i padrejtë.
“Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës. Vendimi konfirmon faktin se nuk jepet drejtësi. Dje na u dha një tjetër goditje e rëndë, pasi u lirua autori që gjuajti me armë në komisariat, ndërkohë që të dëmtuarit mbahen në burg. Na u tha, ju që jetoni me djersë dëmtoni shoqërinë. Na u tha, jeni shembull i keq në këtë shoqëri.
Shteti na goditi më 4 shtator, e ndërsa dje shteti politik na goditi me padrejtësi e manipulime. Të veshurit me pushtet i lejoi të pastrojnë provat, i vuri në dispozicion ekspertizën e drejtësinë, ndërsa ne na la në baltë të vetëm kundrejt pushtetit”, shprehen nga familja Cali.
Duke folur për “Neës 24” Gjok Cali tha se një vendim i tillë tregoi pabarazi në trajtimin e qytetarëve nga Gjykata
“Jemi të indinjuar nga vendimi i djeshëm. Ne së familje na u dha një tjetër goditje e rëndë. Shteti na ka goditur në 4 shtator aty ku duhet të na mbronte, e dje nga goditi sërish, duke fshehur provat. U tregua pabarazi në Gjykatë para ligjit. Ky është turp”, tha Gjok Cali./Balkanweb