Në rigjykimin e 12 ishtrupave të Ushtrisë Jugosllave për krime lufte gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë, një ish-luftëtar serb rikujtoi sesi grupe civilësh shqiptarë u qëlluan dhe u vranë “si dele”.
Dëshmitar kryesor i prokurorisë, Zoran Raskoviç, ishanëtar i një njësie ushtarake serbe të njohur si Çakallët, tha në gjykatën speciale në Beograd ditën e hënë se trupat tij të njësisë ekzekutuan më shumë se rreth 60 burra në fshatin Lubeniq të Pejës, më 1 prill 1999.
“Burrat që mund të mbanin armë u ndanë nga gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Ata u liruan, por burrat u ekzekutuan në grup. Si dele, ata nuk u rebeluan shumë”, dëshmoi Raskoviç.
Qëllimi i sulmit ishte “të shfaroseshin” civilët që jetonin në fshat, tha ai. Dymbëdhjetë ishanëtarë të Skuadrës 177 të Ndërhyrjes të Ushtrisë Jugosllave, të cilët të gjithë u deklaruan të pafajshëm, po gjykohen për torturë, grabitje dhe vrasjen e 118 shqiptarëve të Kosovës.
Ata janë akuzuar për krime në katër fshatra – Lubeniq, Pavlan, Qyshk dhe Zahaq – gjatë luftës së Kosovës në prill dhe maj të vitit 1999. Sipas aktakuzës, qëllimi i sulmit ishte dëbimi i përhershëm i popullsisë shqiptare.
Raskoviç të hënën përsëriti dëshminë që ai dha më parë në vitin 2013 gjatë gjyqit të parë, kur ai e përshkroi në detaje masakrën brutale në Lubeniq.
Nëntë luftëtarët serbë janë dënuar më parë me një total prej 106 vitesh burg në shkurt të vitit 2014, por gjykata e apelit në Beograd e anuloi vendimin në mars, duke e quajtur atë “të pakuptueshëm dhe kontradiktor”, dhe e dërgoi rastin për rigjykim.
Në fillim të gjyqit, prokuroria pretendoi se burrat ishin anëtarë të një njësie paraushtarake të quajtur Çakallët, por më vonë vendosi se të gjithë të akuzuarit kishin karta identiteti ushtarake dhe merrnin rroga nga Ushtria Jugosllave.
Por Raskoviç megjithatë këmbënguli përsëri se luftëtarët nuk ishin pjesë e ushtrisë, por vetëm e “një grupi njerëzish të armatosur dhe gjaknxehtë”.
“Ne filluam ta mbronim vendin tonë me qëllimet më të mira duke kryer disa krime të tmerrshme. Ne Çakallët, vramë shumë civilë,” tha ai të hënën. Para vrasjeve të Lubeniq, një nga civilët e pyeti komandantin e njësisë Nebojsa Miniç, i njohur ndryshe si “Mrtvi” (Vdekja) pse luftëtarët e tij hynë në fshatë “si kriminelë”, tha Raskoviç.
“Mrtvi e vrau atë dhe më pas tha se të gjithë të tjerët do të ekzekutoheshin”, risolli në mendje Raskoviç. Minic, një nga oficerët më famëkeq të Ushtrisë Jugosllave të asaj kohe, vdiq nga një sëmundje që ka lidhje me AIDSin në Argjentinë në vitin 2005, para se të ekstradohej në Serbi për akuzat për krime lufte.
Raskoviç tha se pas vrasjeve në Lubeniq, një nga burrat që janë në gjyq, Milojko Nikoliç, i njohur ndryshe si “Sumadija” hyri në turmën e fshatarëve për zvogëluar dhimbjen e tyre” dhe qëlloi ata që ishin ende gjallë.
Prokuroria e bashkoi çështjen me një tjetër i cila filloi në shtator të vitit 2014, në të cilën tre ishanëtarë të Skuadrës 177 të Ndërhyrjes të Ushtrisë Jugosllave, Vladan Krstovic, Lazar Pavlovic dhe Milan Ivanovic, janë të akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e 46 njerëzve në Lubeniq më 1 prill 1999.
Edhe pse Krstoviç mohoi të ketë qenë në fshat më 1 prill 1999, Raskoviç tha në gjykatë se mban mend ta ketë parë atë atje ditën e vrasjeve, përcjell kallxo.com.
“Mbaj mend që ishte atje, sepse ai ishte shok i ngushtë i Obradoviçit, një tjetër pjesëtar i njësisë tonë. I pashë bashkë diku në fshat atë ditë,” tha ai.
Çështja konsiderohet si një nga më të mëdhatë ndonjëherë në lidhje me krimet e luftës në Kosovë në gjykatat e Beogradit, me seanca dëgjimore dhe gjyq fillestar që zgjati për katër vjet. Sulmi ndaj katër fshatrave dhe mbulimi më pas i këtij krimi janë hulumtuar në një dokumentar të BIRN; “Të Paidentifikuarit”.
Në gusht të vitit 2014, prokuroria serbe për krime lufte nisi një hetim ndaj Dragan Zivanoviç, ishkomandant i
Brigadës 125 të Ushtrisë Jugosllave, për akuzën se s’kishte bërë asgjë për të parandaluar vrasjet e shqiptarëve dhe shkatërrimin e shtëpive dhe pronave në katër fshatrat.