Paolo Maldini, i intervistuar për “Sky Sport”, ka komentuar kalendarin e Milanit për Serinë A, por edhe aspekte të tjera të realitetit kuqezi si rinovimet apo afrimet në merkato. Drejtori vlerëson perspektivat e kuqezinjve për sezonin e ri, duke vendosur theksin te cilësia e organikës dhe objektivat kryesorë për ekipin e drejtuar nga Stefano Pioli.
Si ju duket kalendari për kampionatin?
Në 2008-ën ka qenë hera e fundit që e fillonim Serinë A me një ndeshje ndaj Bolonjës. Në atë rast humbëm, ndaj shpresoj që të bëjmë më mirë këtë herë.
Sa mund të ndikojë nisja e kampionatit në Europën e Milanit?
Turin eliminator do ta luajmë më 17 shtator e teksa ne nuk do të kemi asnjë ndeshje zyrtare deri atë ditë, rivalët tanë do të kenë luajtur 10- 12 sfida kampionati. Do të jetë një ndeshje teke që do të vendosë gjithçka, por kam besim se do të jemi në formë për nisjen e Serisë A.
Sikur të mos mjaftonte kalendari i ngjeshur, do të jetë edhe derbi në javën e katërt…
Vjet humbëm dy herë e në sfidën e dytë disfata erdhi pasi kishim dominuar me spektakël për 50 minuta. Dukej sikur diferenca jonë me Interin ishte shtuar, ndërkohë që këtë sezon do të shohim se çfarë do të ndodhë.
Ndërkohë në merkato jeni ndër klubet më aktive?
Merkatoja nisi zyrtarisht me datë 1, por ne kishim bërë hapa përpara në disa drejtime. Rinovimi i Ibrës ishte përparësi për ne dhe gjithashtu më i vështiri. Lëvizjet e tjera mbase ishin të papritura, por ditëm të jemi gati kur në u paraqit rasti.
Si mund të na e përshkruani Brahim Diazin?
Mund të luajë në të tria pozicionet pas sulmuesit kryesor. Mendoj se i ka të gjitha cilësitë për të bërë diferencën në fushë.
Mendoni që Milani vijon të ketë një ekip shumë të ri në moshë?
Shikoni, të rinjtë nuk janë të gjithë njësoj. Disa piqen më herët e disa më vonë. Ne kemi një ide të qartë në kokë. Fundja nuk ekziston asnjë model skuadre e cila ka fituar vetëm me lojtarë të rinj. Përforcimet që kemi bërë janë parë edhe në këndvështrimin e ndihmesës për të rritur të rinjtë e organikës.
Ku bazoheni për lëvizjet në merkato?
Kemi tregues sportivë, por edhe ekonomikë. Borderoja e Milanit po zvogëlohet dhe nëse kjo shoqërohet me arritjen e rezultateve, atëherë do të mund të themi se kemi bërë një punë të mirë në merkato.
Sa rëndësi ka Zlatan Ibrahimoviçi për këtë skuadër?
Ajo tashmë dihet dhe rezultatet janë para syve të të gjithëve. Zlatani nuk ka rëndësi vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Konkurrenca që ka sjellë në stërvitje është tregues i vetive prej kampioni që ai ka.
Nuk është disi i moshuar për ambiciet e Milanit?
Edhe Ibra e di që është 38 vjeç, megjithatë nuk jemi të gjithë njësoj. Secili plaket sipas mënyrës së vet. Unë, për shembull, e kam fituar Champions-in e fundit në moshën 39 vjeçare e për më tepër u zgjodha edhe mbrojtësi më i mirë i kompeticionit në atë sezon.
A është Champions-i synimi kryesor i këtij Milani?
Nuk është një objektiv i deklaruar, por duhet të jetë synimi ynë. Klubi po bën përpjekje të mëdha për të përmirësuar pozitat tona në kampionat. Duam që të arrijmë mes katër të parave. Nëse ia dalim, atëherë disa gjëra mund të ndryshojnë për mirë në sezonin pasardhës. Milani nuk mund të mos luftojë për katër vendet e para.
g.kosovari