Më shumë sëmundje me potencial pandemik do të kalojnë nga kafshët te njerëzit në të ardhmen e afërt, për shkak të jetesës moderne, paralajmëruan shkencëtarët.
Sipas “Daily Mail”, Sarah Gilbert, personi kryesor që qëndron pas vaksinës Covid-19 të Universitetit të Oksfordit, tha se rritja e numrit të udhëtimeve në botë dhe rritja e popullsisë po rrit rrezikun e shpërthimit të infeksioneve.
Sëmundjet e transmetuara nga kafshët janë bërë më të zakonshme në vitet e fundit për shkak të bujqësisë intensive dhe shpyllëzimit.
Origjina e saktë e Covid-19 aktualisht është e panjohur, por besohet se e ka origjinën tek lakuriqët e natës.
Prof. Gilbert, i tha “The Independent”: “Dendësia më e madhe e popullsisë, udhëtimet e shumta, shpyllëzimet, të gjitha këto gjëra e bëjnë më të mundshme që këto shpërthime të ndodhin dhe pastaj diçka të përhapet”.
Covid-19 ka provuar të jetë sëmundja më vdekjeprurëse dhe ngjitëse, pasi ka marrë jetën e 850,000 njerëzve në mbarë botën dhe ka infektuar më shumë se 25 milion.
Por shembuj të tjerë të viruseve vdekjeprurës përfshijnë: Ebolën, e cila e ka origjinën nga majmunët; MERS, e cila u shfaq tek devetë; virusin e Nilit Perëndimor të shkaktuar nga mushkonjat. Çdo vit dy milion njerëz, kryesisht në vendet e varfra, vdesin nga këto viruse.
Sipas një raporti të publikuar nga Kombet e Bashkuara në korrik, numri i shpërthimeve të infeksioneve të tilla do të vazhdojë të rritet nëse nuk bëhet diçka për të mbrojtur jetën e egër.
Shkatërrimi i habitateve të kafshëve i detyron ato të jenë më afër me njerëzit, duke rritur rrezikun e transmetimit të sëmundjes.
Ndryshimi i klimës mund të kontribuojë gjithashtu, duke shkaktuar përmbytje që do t’i dëbojnë kafshët nga shtëpitë e tyre.
Mënyra kryesore e transmetimit të viruseve midis mjedisit dhe njerëzve është përmes gjuetisë dhe ngrënies së kafshëve të egra ose ekzotike.
g.kosovari