Në Malin e Zi të dielën janë mbajtur zgjedhjet parlamentare. Teksa janë numëruar shumica e votave, rezultati mes partive është i ngushtë, ndërsa kryeson Milo Gjukanoviç.
Mirëpo, në këto zgjedhje me sa duket “çelësi” i qeverisë është në dorën e një shqiptari.
Dritan Abazoviç është njëri nga shqiptarët më të zëshëm në skenën politike në Mal të Zi. Ai është kryetar i grupit politik URA, e cila është kryesisht e përbërë nga joshqiptarët.
Në këto zgjedhje ai ka hyrë me platformën në gjuhën serbe “Crno na Bijelo” apo “E zeza në të bardhë”.
Në një intervistë të dhënë se fundmi, ai tha se votat e tij do të bëjnë diferencën, ndërsa e cilësoi veten si personi që do të bëjë edhe ndryshimin e lojës.
Ai tha se ka pasur shumë sulme, edhe prej partive nacionale shqiptare, që sipas tij, nuk duan të pranojnë që një shqiptar mund të përfaqësojë në Malin e Zi në një nivel më të lartë.
Ai ka siguruar se me Qeverinë e re të Malit të Zi, nuk ka për të pasur ndryshime të politikave të jashtme, dhe se do të bëjë koalicion ‘vetëm ata që janë të gatshëm të bëjnë sistemin e qeverisë së ekspertëve”.
Por, kush është shqiptari Dritan Abazoviç, në duart e të cilit ndodhet e ardhmja e Malit të Zi?
Ai lindi në vitin 1985 në Ulqin në një familje shqiptare. Pasi kishte mbaruar shkollën fillore dhe të mesme në Ulqin, Abazoviç u diplomua në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës. Po në Sarajevë, ai përfundoi doktoraturën në 2019, në Fakultetin e Shkencave Politike.
Në vitin 2011, ai jetoi në Shtetet e Bashkuara ndërsa mori pjesë në programin e Departamentit të Shtetit në Ëashington D.C.
Nga 2010 deri në 2012, ai ishte Drejtori Ekzekutiv i ndërmarrjes lokale të transmetimit Teuta (Ulqin, Mali i Zi). Nga viti 2010 deri në vitin 2012, ai ishte Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së Mogul në Ulqin.
Në vitin 2010, ai botoi librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Që nga viti 2010, ai ka punuar si mësues i shkollës së mesme në Ulqin, duke dhënë mësim sociologjinë e Kulturës, Komunikimit dhe historinë e fesë.
Ai flet rrjedhshëm gjuhën malazeze, angleze dhe shqipe. Më 2017, ai ka nënshkruar Deklaratën për gjuhën e përbashkët të malazezëve, kroatëve, serbëve dhe boshnjakëve.
Si u bë pjesë e politikës në Mal të Zi?
Abazoviç ishte një nga themeluesit e partisë politike ‘Mali i Zi Pozitiv‘ në 2012.
Në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi 2012, partia fitoi 7 nga 81 vende, duke e bërë Abazoviçin anëtarin më të ri të Parlamentit të Malit të Zi.
Më 2014, pas një përçarje në parti, Abazoviç u largua nga‚ Mali i Zi Pozitiv‘, duke shërbyer si një deputet i pavarur përpara se të bashkohej me Aksionin e Reformës së Bashkuar (URA) të themeluar në 2015.
Ai aktualisht është president i URA dhe një nga dy përfaqësuesit e saj parlamentar.
/a.r