Refuzojnë të izolohen sërish për shkak të rritjes së infektimeve nga Covid. Për të dytën ditë radhazi, mijëra demonstrues në Gjermani kanë mbushur rrugët duke protestuar kundër masave izoluese.
Një pjesë e madhe e tyre ishin pa maska dhe nuk respektonin distancën dy metër ashtu sikurse është e parashikuar. Në demonstratë morën pjesë mbi 38 mijë njerëz shumë më tepër persona se sa ishte menduar.
Qytetarët u mblodhën para Parlamentit gjerman duke brohoritur për të lejuar që jeta të filloj të zhvillohet normalisht. Protestat u shoqëruan me dhunë dhe kaos ku qindra manifestues, shumë nga e djathta ekstreme, u përpoqën të sulmojnë parlamentin gjerman.
Ata kërkuan rrëzimin e qeverisë. Mes demonstruesve shiheshin edhe simbole të lëvizjes konspirative. Rreth 200 njerëz u arrestuan pasi filluan të hidhnin mjete të rënda drejt policisë.
Protesta pati edhe në Shtutgart dhe Frankfurt ku mbi 500 persona dolën në rrugë me parulla teksa kërkonin heqjen e izolimit.
Në qytete të tjera protestat u zhvilluan në mënyrë paqësore, ku aktivistët i kërkuan kancelares Angela Merkel që të mos i detyrojë më njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.
Protestat vijnë në një kohë ku në Gjermani po shqyrtohet mundësia e marrjes së masave më të ashpra pas rritjes së rasteve.
/a.r