Nga Isa Myzyraj
Prej një viti, Qendra Dritare ishte pjesë e organizatave implementuese të Granteve kundër ekstremizmit të dhunshëm nëpërmjet projektit “CVE Young Ambassadors” të financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vendin tonë, që targeton komunitete me prirje radikale dhe synon rritjen e kapaciteteve të të rinjve, stafeve pedagogjike dhe prindërve rreth tematikës.
Gjatë gjithë vitit të kaluar, në fazën e parë të projektit, përmes disa pyetësorëve në 4 shkolla periferike të Tiranës, u identifikuan problematikat kryesore që shqetësonin nxënësit dhe që lidheshin me ekstremizmin e dhunshëm.
Gjatë gjithë vitit, nxënësit e shkollave “Aleks Buda” në Laprakë, “Ibrahim Hasmema” në Petrelë, “17 Shkurti” “Abdullah Keta” zhvilluan takime dhe trajnime, me ekspertë të komunikimit, ekspertë të identifikimit dhe parandalimit të sjelljeve radikale, psikologë, dhe ekspertë të sigurisë kibernetike.
Nxënësit u njohën më detajisht, që çfarë është ekstremizmi i dhunshëm, cilat janë format e tij, si mund të identifikohen sjelljet e dhunshme, si parandalohen ato, dhe si mund të shtrihet bashkëpunimi mes aktorëve të jetës publike, me njëri-tjetrin, për ta bërë a më të lehtë identifikimin dhe parandalimin e sjelljeve të dhunshme, që janë një ndër sfidat kryesore të këtij shekulli, sfidë kjo për të cilën qeveria e Shteteve të Bashkuara, është duke investuar në çdo cep të botës, që të bëhet më e përballueshme, dhe që këto sjellje që dëmtojnë jo vetëm shtetet, por edhe popullsinë e gjerë, të minimizohen, dhe të vihen nën kontrollin e autoriteteve.
Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, analisti dhe gazetari i njohur Dritan Hila, para nxënësve të këtyre shkollave, shpalosi në detaje se çfarë është ekstremizmi i dhunshëm, dhe format në të cilat ai vjen në vende të caktuara.
Gjatë bashkëbisedimeve me Zotin. Hila, nxënësit u shprehën mjaft të interesuar, duke e pyetur atë në lidhje me rreziqet që po i kanosen botës, dhe shoqërisë sonë në lidhje me ekstremizmin.
Psikologia klinike, Doktoreshë. Brikena Allkoja para nxënësve të shkollave shpalosi ndikimin që ka në shëndetin mendor të të rinjve ekstremizmi i dhunshëm, shenjat që shfaq tek të rinjtë ky fenomen shqetësues, dhe si duket që të sillemi me persona që bien pre e këtyre fenomeneve.
Trajnimet dhe takimet online, nuk u ndalën as në periudhën e vështirë të karantinës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, ku Dritan Mezini dhe Endri Qenanaj, ekspertë të teknologjisë, ndanë me nxënësit e shkollave pjesëmarrëse, benefitet e teknologjisë, dhe këshilla të rëndësishme se si të rinjtë mund të shmangin sjelljet e dhunshme dhe të mos bien pre e ekstremistëve në rrjetet sociale dhe internet.
Për median, si një ndër komponentët kryesorë të informimit, sensibilizimit dhe edukimit vizual, pjesëmarrëse në trajnime ishte gazetarja e mirënjohur Zonja. Rudina Xhunga, e cila me një eksperiencë mbi 20 vjeçare në media, foli para nxënësve për rolin e rëndësishëm që ka masmedia kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Pas përfundimit me shumë sukses, të trajnimeve dhe takimeve, nxënësit përgatitën material mutimediale, për të edukuar bashkëmoshatarët e tyre në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, dhe të gjithë informacionin që ata e kanë marrë nga trajnimet e mëparshme e transmetuan tek të rinjtë e tjerë, përmes artikujve, videove dhe prezantimeve të ndryshme që u botuan në disa media në Shqipëri./dritare.net