Në Facebook janë patriotë, por në letra shesin interesat kombëtare. Në 27 prill të viti 2009, Lulzim Basha, në atë kohë Ministër i Jashtëm, me porosi të Sali Berishës, firmosi marrëveshjen famëkeqe detare me Greqinë, nga e cila Athina përfitonte 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon të Shqipërisë. Marrëveshja u nënshkrua në fshehtësi të plotë, duke anashkaluar edhe Presidentin e Republikës. Në tetor të vitit 2009, një muaj pas zyrtarizimit të qeverisë Berisha-Meta, Partia Socialiste i kërkoi Gjykatës Kushtetuese rrëzimin e marrëveshjes si antikombëtare. Në 26 nëntor 2009, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi paraprakisht kërkesën e PS, ku vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare dhe legjitimimin e PS-së si palë ankimuese.
Seancat në Gjykatën Kushtetuese zgjatën deri në prill të vitit 2010, ndërsa u karakterizuan nga debate dhe polemika të forta. Për të mbrojtur marrëveshjen e me Greqinë, Sali Berisha kishte angazhuar si avokate të qeverisë së tij Marsida Xhaferllarin, Kuvendin me në krye Jozefina Topallin, Ministrinë e Mbrojtjes me në krye Arben Imamin dhe Ministrinë e Jashtme me në krye Ilir Metën, i cili muajt e fundit ka veshur petkun e patriotit. Nga ana tjetër, Partia Socialiste kundërshtonte paktin detar dhe përfaqësohej nga Saimir Tahiri dhe Damian Gjiknuri, të ndihmuar nga kolonel Myslym Pasha, i vlerësuar më vonë nga Ambasada Amerikane për qëndrimet e tij në mbrojtje të interesit kombëtar.
Në periudhën shtator 2009-shtator 2010, Ilir Meta ka qenë ministër i Punëve të Jashtme, kohë që përkon me shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes. Ministria e Jashtme me në krye Ilir Metën ka parashtruar katër argumente në mbrojtje të marrëveshjes detare me Greqinë. Sipas ministrisë që drejtohej nga Meta, negociatat me Greqinë janë zhvilluar në përputhje me ligjin, nuk ka pasur më parë kufij detarë të përcaktuar midis Shqipërisë dhe Greqisë, marrëveshja bazohet në Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit dhe se pretendimi i PS-së se vendndodhja e ishullit Barketa kalon vijën e mesit në ujërat tona, nuk është i saktë.
Duke mbrojtur marrëveshjen, Ministria e Mbrojtjes me në krye Arben Imamin shprehej se nuk qendron pretendimi se Shqipëria ka humbur territor, pasi vija ndarëse është e barazlarguar nga vijat bazë të vendeve respektive. Kuvendi i kontrolluar nga PD shprehej para Gjykatës Kushtetuese se nuk ka prova që të vërtetojnë se kufiri detar midis Shqipërisë dhe Greqisë ka ekzistuar dhe se marrëveshja e nënshkruar nga pala shqiptare dhe ajo greke ndodhet ende në fazat e shqyrtimit parlamentar në Kuvend.
Qeveria Berisha, përmes Marsida Xhaferallit, të cilën Meta e ka emëruar anëtare të Gjykatës Kushtetuese, shprehej se mungesa e konsultimit publik nuk mund të jetë shkak i tillë që të mund ta bëjë marrëveshjen antikushtetuese, nuk qëndron pretendimi për mungesë informimi dhe transparence, pretendimi për mungesën e hartave shoqëruese nuk është shkak për pavlefshmëri dhe se egocimi i marrëveshjes është shtrirë në një hark kohor prej 3 vitesh, megjithëse interesi i palës shqiptare për përcaktimin e saktë të kufijve ka qenë i dokumentuar që prej 1993. Ndërkaq, Bamir Topi, në atë kohë President, ka mbajtur një qëndrim asnjanës për këtë çështje.
Hapësira detare e falur nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha në vitin 2009, e kthyer mbrapsht nga Gjykata Kushtetuese, kërkohet sot nga Greqia. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, gjatë seancës parlamentare të mbajtur ditën e mërkurë në parlamentin grek, tha se Greqia do të zgjerojë kufijtë e saj detar në 12 milje. Pasditen e djeshme erdhi edhe reagimi i qeverisë shqiptare, e cila tha se ‘kjo është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982’, që do të thotë se në rastin konkret parini i 12 milieve nuk mund të zbatohet, pasi distanca detare mes Shqipërisë dhe Greqisë është më pak se 24 milje për të vendosur barazlargimin.
Argumentet e plota të qeverisë PD-LSI pro paktit detar
-Argumentet e Ministrisë së Jashtme me në krye Ilir Metën
1. Nuk qëndron pretendimi se negocimet janë bërë në kohë të shkurtër dhe në mungesë të plotë të transparencës. Bisedimet për lidhjen e kësaj marrëveshjeje kanë filluar që prej vitit 2006 dhe me Urdhrin e Kryeministrit nr. 135, dt.23.08.2007, për këtë qëllim, u krijuar grupi ndërinstitucional i punës. Janë zhvilluar mjaft raunde bisedimesh dhe e gjithë procedura e negocimit deri në përgatitjen përfundimtare të marrëveshjes është kryer në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe praktikën diplomatike. Megjithëse bisedimet diplomatike të kësaj natyre janë përherë të rezervuara për publikun, kur ka pasur kërkesë për informacion, ai është dhënë në përputhje me ligjin nr. 8457, dt. 11.2.1999 “Për klasifikimin e informacionit “sekret shtetëror”.
2. Nuk ka pasur më parë kufij detarë të përcaktuar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Protokolli i Firences i vitit 1925 përcakton vetëm kufirin tokësor. Edhe legjislacioni shqiptar në vite nuk ka pasur asnjëherë një përcaktim të qartë sa i takon kufirit detar me Greqinë. Pretendimi i kërkuesit se koncepti i përfshirë në vendimin e GJND se “kufiri është midis bregdetit shqiptar dhe atij grek deri përmes kanalit të Korfuzit”, nuk qëndron pasi ky koncept juridikisht dhe gjeografikisht nuk përcakton qartë se ku ndodhet kjo vijë ndarëse.
3. Fakti që nuk ka harta analoge bashkëlidhur marrëveshjes nuk do të thotë se mungojnë të dhënat gjeografike. Marrëveshja shoqërohet nga 150 koordinata, bashkimi i të cilave formon vijën ndarëse të kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Neni 16 i Konventës së III të OKB-së për të Drejtën e Detit parashikon se: “Shtetet bregdetare do të bëjnë publikimin e duhur të hartave ose listave të tilla të koordinatave gjeografike dhe do të dorëzojnë kopje të tyre tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB”. Për këtë qëllim është vendosur dhe një numër maksimal koordinatash, gjë që rrit sigurinë dhe përpikërinë në përcaktimin e vijës ndarëse.
4. Pretendimi se vendndodhja e ishullit Barketa kalon vijën e mesit në ujërat tona, – nëse kjo vijë mesi do të ishte ndërmjet dy brigjeve – nuk është i saktë. Koordinatat tregojnë se ishulli Barketa është në perëndim të vijës së mesit të ndërtuar midis dy brigjeve. Për këtë arsye, ky shkëmb është marrë si pikë referimi për përcaktimin e vijës bazë.
-Argumentet e Kuvendit të Shqipërisë me në krye Jozefina Topallin
1. Kërkuesi nuk legjitimohet për arsye se partitë politike nuk janë subjekte të përgjithshme të parashikuara nga neni 134/1 i Kushtetutës. Vetëm subjektet e parashikuara në këtë dispozitë mund të fillojnë një kontroll abstrakt para Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht numrit të madh të votuesve të kësaj partie, ajo nuk legjitimohet në kërkesën e saj, pasi nuk arrin të justifikojë interesat që preken nga objekti i marrëveshjes. Partia Socialiste ka mundësi të shprehë kundërshtimet dhe rezervat e veta lidhur me marrëveshjen gjatë shqyrtimit të saj në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo në rrugën e kontrollit kushtetues. Mungesa e kësaj partie në Kuvend nuk mund të zëvendësohet me mjete të tilla juridike siç është ankimi kushtetues në një procedurë abstrakte kontrolli.
2. Nuk ka prova që të vërtetojnë se kufiri detar midis Shqipërisë dhe Greqisë ka ekzistuar. Për më tepër, nëse kufiri midis dy vendeve do të kishte ekzistuar, nuk do të kishte dalë nevoja e lidhjes së kësaj marrëveshjeje.
3. Mungesa e hartave shoqëruese është një çështje teknike që nuk mund ta bëjë marrëveshjen antikushtetuese, pasi koordinatat janë të mjaftueshme për të përcaktuar kufirin.
4. Marrëveshja e nënshkruar nga pala shqiptare dhe ajo greke ndodhet ende në fazat e shqyrtimit parlamentar në Kuvend, konkretisht në komisionet parlamentare. Në këto kushte, është e pamundur të paraqiten nga ana jonë parashtrime lidhur me disa aspekte të përmbajtjes së marrëveshjes.
-Argumentet e qeverisë me në kryer Berishën
1. Kërkuesi nuk legjitimohet për të iniciuar një gjykim të kontrollit abstrakt të normës ligjore, për shkak se subjekte të tillë kanë detyrimin të argumentojnë lidhjen e çështjes me interesat e tyre, gjë të cilën kërkuesi nuk rezulton ta ketë bërë përmes kësaj kërkese. Kërkuesi nuk ka dhënë asnjë argument që provon interesin e prekur nga ligji objekt shqyrtimi.
2. Shqipëria dhe Greqia nuk i kanë përcaktuar asnjëherë më parë kufijtë detarë ndërmjet tyre dhe për këtë arsye faktet historike të paraqitura nga kërkuesi nuk janë të sakta.
3. Konsultimi publik nuk është standard kushtetues por lidhet me vullnetin politik, prandaj nuk mund të jetë shkak i tillë që të mund ta bëjë marrëveshjen antikushtetuese. Ky pretendim mund të ngrihet në rrugën politike të shprehjes së mendimit, konkretisht gjatë procedurave parlamentare. Kërkuesi i ka të gjitha mundësitë që në rrugë parlamentare të realizojë procesin e konsultimit, i cili, sipas tij, ka munguar në lidhjen e kësaj marrëveshje.
4. Nuk qëndron pretendimi për mungesë informimi dhe transparence, pasi vetë kërkuesi nuk ka pranuar të marrë pjesë në punimet e parlamentit. Është kjo arsyeja që ai nuk ka pasur mundësi të njihet nga afër me dokumentacionin lidhur me përgatitjen, negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes. Përveç kësaj, kërkuesi nuk paraqet asnjë provë që të vërtetojë se i është mohuar dhënia e informacionit pas kërkesës së bërë zyrtarisht prej tij.
5. Pretendimi për mungesën e hartave shoqëruese nuk është shkak për pavlefshmëri, pasi në periudhën e zhvillimit të teknologjisë dixhitale përcaktimi i koordinatave është më se i mjaftueshëm për të përmbushur funksionin e përcaktimit të kufirit.
6. Negocimi i marrëveshjes është shtrirë në një hark kohor prej 3 vitesh, megjithëse interesi i palës shqiptare për përcaktimin e saktë të kufijve ka qenë i dokumentuar që prej 1993. Nga ana e qeverisë janë bërë të gjitha përpjekjet që bisedimet të bëhen të njohura për publikun që prej momentit që ka pasur interesim për këtë çështje.
-Argumentet e Ministrisë së Mbrojtjes me në krye Arben Imamin
1. Nuk ka pasur kufij të caktuar më parë midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi Protokolli i Firences ka përcaktuar vetëm kufirin tokësor dhe në këtë dokument nuk gjendet asnjë koordinatë që të përcaktojë vijën ndarëse të kufirit detar midis këtyre dy vendeve. Për rrjedhojë, nuk ka pasur ndonjë vijë tjetër ndarëse të përcaktuar më parë nga këto vende me marrëveshje, por kanë ekzistuar vija të përcaktuara në mënyrë të njëanshme nga secili vend.
2. Nuk qendron pretendimi se Shqipëria ka humbur territor, pasi vija ndarëse është e barazlarguar nga vijat bazë të vendeve respektive.
3. Mungesa e hartave analoge shpjegohet me faktin se sot përdoren më së shumti hartat dixhitale në përputhje me Sistemin Gjeodezik Botëror WGS84, sipas të cilit koordinatat pasqyrohen në rrugë elektronike dhe të saktë./shqiptarja.com
g.kosovari