Nga 35 deri në 2000 euro parashihen dënimet për ata që nuk i respektojnë vendimet për parandalimin e pandemisë në Kosovë. Këto dënime nga bazohen edhe në ligjin për pandeminë, i cili ka hyrë në fuqi sot.
Me 500 euro gjobë dënohet personi që nuk e respekton vendimin për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në kohën e caktuar. Po ashtu dënim me 500 Euro do të marrë edhe personi juridik që nuk e zbaton vendimin për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilët janë përgjegjës, ndërsa me 200 euro dënohet personi përgjegjës i personit juridik.
35 euro është gjoba për ata të cilët nuk mbajnë maska apo nuk e respektojnë distancën fizike. 2 mijë Euro dënohet personi që organizon aktivitete të ndaluara, ndërsa 500 euro është gjoba për personat e konfirmuar apo dyshuar që janë me Covid-19 e nuk e respektojnë karantinimin.
Asociacioni i Komunëve të Kosovës vlerëson se me miratimin e këtij ligji një pjesë e përgjegjësisë për zbatimin e tij bie mbi komunat. Ndërkohë gjatë ditës organizata studentore “Studim, kritike, veprim” me një aksion simbolik ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për siç thonë neglizhencën e tyre gjatë pandemisë.
/a.r