Shtimi i ndjeshëm i rasteve të reja të infektimeve me Covid-19 ka detyruar autoritetet në vendet europiane të shtojnë masat për frenimin e përhapjes.
Në 5 ditët e fundit Spanja ka shënuar 19 mijë infektime të reja. Kjo detyroi kryeministrin Pedro Sançez të dërgojë në ndihmë të rajoneve, rreth 2 mijë ushtarë si forcë shtesë për mbikqyrjen në zbatimin rigoroz të masave për frenimin e përhapjes së Covid-19.
Presidenti francez mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për situatën më të fundit të krijuar nga koronavirusi dhe përcaktimin e masave mbrojtëse shtesë. Këtë javë, pati edhe ditë kur infektimet ditore arritën pranë 5 mijëshit. Zonat më problematike janë periferitë e Parisit dhe ato bregdetare, të frekuentuara nga turistë të shumtë. Në Marsejë, maskat janë bërë të detyrueshme edhe në ambiente publike.
Gjermania vendosi të testojë të gjithë personat që hyjnë nga Parisi dhe zonat turistike të jugut të Francës, të cilët do të qëndrojnë në karantinë deri kur rezultatet të dalin negative. Autoritetet në Berlin po ashtu vendosën të ndalojnë grumbullimet e protestave kundër mbajtjes së maskave që gjatë këtij muaji kanë mbledhur disa herë mijëra njerëz.
/a.r