Një 60-vjeçar që u arrestua nën akuzën se ngacmoi seksualisht një vajze të mitur, vetëm 13 vjeç, është lënë i lirë.
Arben Shena la qelinë ku qëndroi për 3 ditë, pasi vetë Prokuroria e Kavajës kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, kërkesë e cila u pranua nga gjykata.
Vajza e mitur tregoi në polici, në praninë e një psikologeje, se 60-vjeçari Shena, i cili është fqinj me familjen e saj në një prej fshatrave turistike përgjatë bregdetit të Kavajës, e kishte prekur në vende intime.
I kishte kërkuar të shëtisnin bashkë dhe vajza kishte pranuar për shkak se ai ishte i njohur i familjes. Kur ishin gjendur larg vëmendjes së pushuesve të tjerë, kishte nisur ta ngacmonte.
Vajza ka mundur të largohet dhe i ka rrëfyer menjëherë nënës së saj për ngjarjen e rëndë. Sëbashku i janë drejtuar Policisë së Kavajës ku kanë bërë denoncimin.
Policia e arrestoi 60-vjeçarin Arben Shena, nën akuzën për ngacmim seksual ndaj një të mituri, një vepër, e cila dënohet nga 3 deri në 7 vjet burg.
Shena i ka mohuar akuzat, ndërsa prokuroria ka argumentuar se nuk ka prova që vërtetojnë akuzën, duke mos i besuar versionit të së miturës, ndonëse psikologia që ka asistuar të miturën gjatë denoncimit, ka konfirmuar se versioni i 13-vjeçares ishte i besueshëm.
Ai do të qëndrojë në arrest shtëpie deri në përfundim të hetimeve, një vendim që ka befasuar prindërit e vajzës së mitur.
Arben Shena është person me precedent penal. Ai është arrestuar për trafik droge së bashku me të shoqen, në vitin 2000, siç shihet në këtë kronikë të tij viti të Tv Klan, pasi në dyqanin e tyre, “Butik Sonila” në rrugën “Perlat Rexhepi” u gjet një sasi e konsiderueshme kanabisi që vinte nga Turqia dhe kishte destinacion vendet e Bashkimit Europian.
/a.r