Dyshimet për helmimin e liderit të opozitës ruse Aleksei Navalni po shkaktojnë një valë të re përplasjesh mes Perëndimit dhe Rusisë, duke rrezikuar përsëritjen e krizës diplomatike pas helmimit të Sergei dhe Julia Skripalit në Britaninë e Madhe dy vite më parë.
Moska refuzoi thirrjet e Bashkimit Europian për nisjen e hetimeve mbi dyshimet se Navalni u helmua me një lëndë të rrezikshme. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov e quajti të nxituar deklaratën e zyrës së shtypit të Kancelares gjermane, që sipas tij e ka përdorur në mënyrë të parakohshme fjalën helmim.
Sipas Peskovit, as spitali Sharite’ në Berlin nuk ka arritur ta përcaktojë qartë se me ç’substancë është helmuar. Autoritetet ruse nuk shohin arsye për të hetuar pasi, mjekët e spitalit të Omskut ku Navalni u dërgua në fillim me urgjencë, nuk zbuluan gjurmë lëndësh helmuese në gjakun e tij.
Në mbështetje të thirrjes për hetim nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë se nëse nuk heton për këtë çështje do të përballet me sanksione të rënda financiare të paprecedenta.
Disa ekspertë në Berlin dyshojnë se Navalni mund të jetë helmuar me lëndën e quajtur “antikolinestrazë”, gjurma e të cilës është tepër e vështirë të gjendet në analizat e gjakut.
Sipas tyre, rehabilitimi i liderit të opozitës ruse që aktualisht është në gjendje të stabilizuar, do të kërkojë një periudhë të gjatë dhe të vështirë. Kjo lëndë përfshihet tek armët kimike të ndaluara me konventa ndërkombëtare, pasi dëmton sistemin nervor, megjithëse përdoret gjerësisht në raste helmimesh të qëllimta.
/a.r