“Më kërcënuan se do të më vrisnin vëllanë 5 vjeç dhe nënën nëse nuk do të punoja për ta. Nga frika u detyrova të prostituoja”, ky është rrëfimi që një vajzë 17-vjeçare ka bërë para oficerëve të Policisë së Tiranës.
Pas shumë përpjekjesh, adoleshentja arriti ta mposhtë frikën dhe të denoncojë tutorët e saj, një çift të rinjsh, të cilët u arrestuan nga Policia.
Vajza 17-vjeçare ka treguar në Polici se shtetasi Gerald Mali (Stamolla) dhe bashkëjetuesja e tij, Evisa Mema, e kërcënonin dhe ushtronin dhunë ndaj saj duke e detyruar që të ushtronte prostitucion.
Për të provuar dhunën e ushtruar ndaj saj, adoleshentja ka treguar edhe shenjat në vende të ndryshme të trupit, që janë fotografuar dhe është bërë këqyrja mjekoligjore.
“Më dërguan në një hotel tek ish-Shkolla e Bashkuar dhe për disa ditë me radhë kam qëndruar aty duke kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës, me klientët që i sillnin ata të dy”, ka treguar 17-vjeçarja, duke u shprehur se ajo vetë nuk merrte para nga “puna” që bënte, përveç ndonjë pakete cigaresh apo diçka për të ngrënë, vetëm një herë në ditë.
DESHMIA
Sipas dëshmisë që ka dhënë në Policinë e Tiranës 17- vjeçarja e shfrytëzuar, mësohet se çifti i tutorëve, pas hotelit tek ish-Shkolla e Bashkuar, e kanë dërguar në një tjetër hotel te zona e “Freskut”, ku ka qëndruar edhe 5 ditë, sërish duke kryer të njëjtën “punë”.
“Nuk mund të duroja dot më në atë gjendje dhe vendosa t’i shkruaja një shoku. Këtë e bëra që të mashtroja Geraldin dhe Evisën e të ikja prej tyre”, ka treguar e dëmtuara.
Sipas dëshmisë që ndodhet në dosjen e Prokurorisë, vajza shpjegon se duke menduar se po shkonte për të “punuar”, çifti i dyshuar e lejuan të largohej, por pak orë më vonë i shkuan në shtëpi dhe i morën vëllanë e mitur, duke e kërcënuar që të kthehej sërish tek ata.
“Iu kërkova vetëm pak minuta kohë sa të vishesha dhe të bëja tualet. Kur ata po prisnin jashtë shtëpisë, unë dola nga dera e pasme dhe shkova në Polici, ku i denoncova”, tregon 17-vjeçarja.
Në kohën që ajo ndodhej duke bërë kallëzim në Polici, dy të dyshuarit kanë telefonuar nënën e saj duke e kërcënuar se do të punonte ajo në vend të vajzës për të shlyer pagesën e hotelit.
TE ARRESTUARIT
Çifti i dyshuar i tutorëve, Gerald Mali (Stamolla) dhe Evisa Mema u arrestuan nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe dje dolën para Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Burimet nga salla e gjyqit thanë se gjatë seancës ata e kanë kundërshtuar akuzën e ngritur ndaj tyre, megjithatë ndaj 31-vjeçarit Gerald Mali dhe 27-vjeçares Evisa Mema u caktua masa e sigurisë “Arrest në burg”./ panorama
g.kosovari