Shkollat e kryeqytetit janë gati të hapin dyert dhe të sigurojnë standardet e kërkuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Deklarata u bë nga kryebashkiaku Veliaj teksa inspektoi vijimin e punimeve në bllokun e ish-Tregut Elektrik.
“Tirana do të jetë gati kurdo që qeveria të lajmërojë hapjen e shkollave. Siç bëmë me kopshtet dhe çerdhet, me të njëjtin protokoll do të hapim edhe shkollat. Këtë vit do të hapim dy shkolla të reja: shkollën “1 Qershori”, e cila ndodhet mes Njësisë 5 dhe 6, me territor të dyfishuar, dhe shkollën “Jeronim De Rada” në Njësinë 9, gjithashtu e dyfishuar, me palestër të re”.
Sa i takon rehabilitimit të këtij blloku banimi kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për mbarëvajtjen e punimeve.
“Aty ku ka pasur bashkëpunim, pra kur dikush që ka ndërtuar një mur, një shtesë, një shkallë apo një rampë pa leje, e ka tërhequr për t’i hapur udhë investimit, puna ka ecur më shpejt. E ka kuptuar se trotuari bëhet që aty të ecë nëna e tij, babai i tij, motra e tij, fëmijët e tij”.
Projekti parashikon ndërhyrje në rrjetin rrugor, të kanalizimeve, gjelbërimit dhe ndriçimit si dhe krijimin e hapësirave publike.
/a.r